Njerëzit po e shohin me shpresë nisjen e lehtësimeve në shumë vende të Europës, por shkencëtarët kanë paralajmëruar se rreziku nuk ka kaluar, se kush mundet të punojë nga shtëpia, duhet të punojë nga shtëpia dhe se virusi nuk do të zhduket, por me shumë gjasa do të bëhet sezonal.
Në botë, rastet e konfirmuara janë më shumë se 3,116,000 deri të martën në mbrëmje. Ka më shumë se 216,000 të vdekur deri tani. Në Greqi, kryeministri Kyriakos Mitsotakis ka njoftuar nisjen e relaksimit të masave të vendosura rreth 6 javë më parë, duke nisur nga 4 maji.
“Slogani ynë i ri do të jetë: Të qëndrojmë të sigurt!”, tha ai, duke këmbëngulur se dalja nga masat do të bëhet me një plan të detajuar mirë gjatë një periudhe dymujore.
Në Gjermani, kreu i “Robert Koch Institute” për sëmundjet infektive u ka bërë thirrje njerëzve të qëndrojnë në shtëpi sa më shumë të munden, ndërsa të dhënat e reja treguan se shkalla e infeksionit në vend po rritet, vetëm pak pasi vendi nisi masa lehtësuese.
Në Rusi, Vladimir Putin ka zgjeruar periudhën e bllokimit të punëve deri më 11 maj, ndërsa njoftoi se vendi nuk e ka arritur akoma kulmin e infeksionit.
Ndërkohë, Franca ka publikuar planet për nisjen e lehtësimit të masave kufizuese brenda dy javësh, me shkollat dhe bizneset joesenciale që do të hapen që nga 11 maji.
Kryeministri francez, Edouard Philippe tha se nuk do të nevojiten më lejet për të dalë nga shtëpia që nga ajo datë dhe muzetë e vogla do të fillojnë të pranojnë vizitorë. Megjithatë, njerëzit do të vazhdojnë të instruktohen të punojnë nga shtëpia aty ku është e mundur dhe po ashtu, restorantet dhe baret do të vazhdojnë të qëndrojnë të mbyllura.
Philippe tha se masat e bllokimit kanë shpëtuar 62,000 jetë në muaj. Mbretëria e Bashkuar do të nisë të përfshijë edhe vdekjet në shtëpitë e kujdesit të të moshuarve në buletinin e saj të përditshëm të rasteve me Covid-19, pas vlerësimit se ato përbëjnë rreth një të katërtën e vdekjeve.
Në Portugali, Presidenti Marcelo Rebelo de Sousa tha se gjendja e jashtëzakonshme do të përfundojë në fundjavë, por rikthimi në aktivitetin normal do të vazhdojë dalëngadalë në disa faza.
Në Spanjë u njoftua dje “plani për një tranzicion në normalitet” nga Kryeministri Pedro Sanchez, i cili do të nisë që nga e diela në mbrëmje.
Plani do të ketë katër faza, ku secila do të zgjasë dy javë, pa vendosur një datë specifike se kur do të rihapen baret dhe restorantet apo kur do të rinisin aktivitetet sportive.
SHBA ka njoftuar se numri i rasteve të konfirmuara ka arritur në një milion. Në SHBA, tani ka më shumë se 57,000 njerëz të vdekur.
Diskutime rreth kësaj post