Deputeti i opozitës parlamentare, Ralf Gjoni paralajmëroi ditën e djeshme lëvizje të reja në skenën politike shqiptare. Gjatë një interviste televizive, Gjoni u shpreh se në momentin që do të rihapet qarkullimi dhe lëvizja nga njëri qytet në tjetrin do të zbresë në bazë për të dëgjuar qytetarët për të grupuar shqetësimet e tyre në krijimin e një partie të re politike.
“Populli do të dalë kundër, populli shqiptar është shumë i zgjuar dhe po pret krijimin e alternativës së duhur, kjo na takon ne. Shqiptarët duan alternativa të reja dhe është roli ynë t’i japim shpresë këtij segmenti në zgjedhjet e ardhme, por se çfarë forme do të marrë nuk jam në gjendje ta them. Në këtë moment është detyra jonë për ta krijuar këtë alternativë, është detyra jonë që në momentin që hapet lëvizja e lirë e njerëzve të fillojmë një dialog mbarëkombëtar, të bisedojmë me njerëzit në bazë, se çfarë duan nga ne dhe çfarë roli duhet të luajmë për të përfaqësuar interesat e tyre më mirë në Parlament”, tha Ralf Gjoni.
Deputeti komentoi më tej edhe marrëdhëniet Qeveri-Presidencë pas miratimit të ndryshimeve në Kodin Penal. Në lidhje me këtë, Gjoni tha se mes kryeministrit Edi Rama, presidentit Ilir Meta dhe kreut demokrat Lulzim Basha ka një marrëveshje shumë vjeçare, duke shtuar se opozitë të vërtetë po bëjnë pak deputetë në Kuvend.
“Unë nuk jam marrë me Ilir Metën, evidentova një fakt, si presidenti dërgon një letër në Parlament për një ndryshim në Kodin Penal, që vërtet ka mangësi, por nuk është momenti i krizës për të ndryshuar me një procedurë të përshpejtuar. Tani në këto momente qytetarët kanë nevojë për mbështetje, por qeveria ofron masa të rrepta duke nxjerrë në rrugë projektin e frikës. Nuk është Presidenti që duhet të ofrojë amendime, dekreton, ka rolin e vulës së noterit. Sa i përket marrëveshjeve, më lejoni të bëj një korrigjim. Mediat flasin për marrëveshjen e radhës, ne pak deputetë që kemi mbetur atje që bëjmë opozitë të pastër. Këta të tre kanë marrëveshje që prej fillimit, prej 20 ditëve të fundit janë marrë vesh shumë mirë me një shkelje syri në ajër”, tha ai.
Ndërsa për Lulzim Bashën, Ralf Gjoni ka një sfidë.
“Lulzim Basha është dezhurn në krye të një partie që braktisi Parlamentin. Nuk kam asnjë lloj opinioni për Bashën, nuk po luan asnjë rol. Po ja mbajti le të bjerë dakord për të hapur listat dhe të garojmë hapur dhe e shikojmë sa marrin PD, PS apo LSI apo ndonjë parti që mund të krijohet nesër”, tha Gjoni.
Diskutime rreth kësaj post