Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Shqipërinë, Raul Gonzales Monteros në një lidhje ‘live’ me Ilva Now i ka vlerësuar si shumë efikase masat e marra nga qeveria shqiptare që në rastin e parë me COVID-19 në vend. Ai gjithashtu ka folur për mundësinë për të përdorur një testim alternativ, siç është testi i gjakut për testimin e antitrupave çka jep më shumë njohuri rreth epidemisë.
Pjesë nga intervista:
Ilva – Z.Gonzales, OBSH ka deklaruar së fundmi se strategjia më e mirë që njohin është testimi, testimi, testimi i të gjithëve, i masës së popullsisë, që të kenë kontroll mbi shpërndarjen e coronavirus. A keni ndonjë ide përse autoritetet shqiptare nuk po e ndjekin këtë strategji? A është rasti që nuk kemi mjaftueshëm teste ose cili është shpjegimi i tyre?
R. Gonzales – Unë nuk do të thosha që autoritetet shqiptare nuk po i ndjekin këto udhëzime. Udhëzimet e OBSH janë që çdo shtet duhet të përllogarisë kapacitetet dhe të ndërtojë një politikë. Mungesa e testimeve nuk është një problem vetëm në Shqipëri, shumë shtete janë duke hasur vështirësi shumë të mëdha për t’i pasur testet, por Shqipëria ka bërë teste bazuar në udhëzimet e OBSH sipas rasteve. Jam i sigurt se në ditët në vijim, në javët në vijim, numri i testeve do të rritet, jo vetëm me testet PSI, që janë aktualisht të vetmet në përdorim, por edhe me mënyra të tjera, si çdo shtet tjetër po bën. Dua të them, njerëzit po kërkojnë më shumë testime, por duhet të kujtojmë që kjo nuk është një situatë për testimin e të gjithë popullsisë. Duhet të kuptojmë çfarë lloj epidemie kemi në Shqipëri, dhe rastet që janë testuar në Shqipëri në çfarë shkalle kanë rezultuar pozitivë. Rezultatet në Shqipëri kanë qenë të mira, kështu që a do të rritet numri i testimeve në ditët në vijim? Me shumë mundësi po, por nuk mund të themi që politika e implementuar nga qeveria nuk ka rezultuar e suksesshme. Ne shohim rastet që kemi, 370, 377 raste për të qenë i saktë dhe pyetja e thjeshtë për të gjithë është:
“Sigurisht, ne kemi më shumë raste, por çështja është që nuk po testohen mjaftueshëm”. Më lini t’ju tregoj disa shembuj dhe do të përdor një shembull shumë të njohur që ‘Imperial College’ ka publikuar para 4 ditësh. Ata kanë vlerësuar numrin e njerëzve të prekur aktualisht, jo për shkak të raporteve të gjërave pozitive dhe unë do të jap rastin e Spanjës, që e njoh më mirë. Teorikisht ne kemi të raportuar një numër rreth 130 mijë, tani duhet të jenë ndoshta 140 mijë raste. Numri real, duke iu referuar modelit mund të jetë rreth 1 milion, por çështja është që ne kemi indikatorë të tjerë jo të drejtpërdrejtë për të matur se sa njerëz kemi të infektuar në popullatë. Mënyra më e mirë për t’u ndjekur, mënyra më objektive është numri i vdekjeve. Gjithashtu, si një matës jo i drejtpërdrejtë është numri i njerëzve në qendrat e kujdesit. Kjo na jep një pasqyrim të vërtetë të njerëzve që janë të infektuar.
Ilva Tare – A ka një vlerësim të numrit real të të prekurve në Shqipëri?
R. Gonzales – Ne nuk e kemi atë model, sepse ky model u bë për 11 shtete në Evropë dhe Shqipëria nuk ishte pjesë, sepse ata zgjodhën shtete më numra më të lartë, por me siguri numrat në Shqipëri nuk janë aq alarmuese sa në këto vende, dhe këto janë rezultatet e masave të marra në kohë. Më kujtohet që qeveria shqiptare i mori masat kur kishin vetëm 10 raste. Të gjithë thoshin se mos ishte shumë herët për ta bërë atë veprim, por ky është rezultati, nuk ishte shumë herët, ishte momenti i duhur për t’i marrë.
Ilva Tare – Ka disa shtete që po bëjnë teste gjaku për të njohur antitrupat ose imunitetin e popullsisë, që të lejohen të fillojnë të punojnë, të lëvizin, krahasuar me qytetarët e tjerë që mund të mos kenë imunitet aq të fortë sa të tjerët. A është një strategji e mirë për Shqipërinë? A duhet të fillojmë ta bëjmë këtë gjë?
R. Gonzales – Kjo është një pikë shumë e mirë, kjo është një gjë shumë e rëndësishme që ne po bëjmë. Ju e dini tanimë, ne e quajmë një testim i thjeshtë shumë i shpejtë, por që nuk janë njohur ende nga OBSH, sepse nuk po funksionojnë, nuk kemi ende mjaftueshëm prova që të vlerësojmë këtë testim dhe kjo duhet bërë në mënyrën e duhur. Por strategjia për testimin e antitrupave është shumë e mirë, sepse në atë moment kemi më shumë njohuri rreth epidemisë, si është transmetuar, njerëzit që ka prekur më shumë. Me shumë rëndësi, keni një instrument që mund të vendosë se kush mund të shkojë i sigurt në punë dhe kush duhet të marrë masa të veçanta. Shumë shtete po e bëjnë këtë, shumë shtete po kalojnë në testimin e antitrupave dhe është një tjetër instrument, jo për të diagnostikuar njerëzit e prekur, sepse këto teste nuk bëhen pozitive deri në ditën e shtatë të fillimit të simptomave, kjo nuk jep shumë hapësirë për të marrë vendime, por ajo që ju propozoni ësht një instrument shumë i rëndësishëm, që na lejon të çojmë dikë në punë me më shumë siguri.
Ilva Tare: A po e diskutoni këtë me autoritetet shqiptare ? A po e konsiderojnë atë opsion?
Raul Gonzales: Absolutisht po. Autoritetet shqiptare po marrin në konsideratë të gjitha mundësitë, por kjo është për një fazë tjetër. Shqipëria është akoma me masa tejet strikte, jemi akoma në shtetrrethim. Kjo gjë është pozitive kur mendojmë të kalojmë në një fazë tjetër.
Diskutime rreth kësaj post