Përpara 2000 vitesh Zoti Jisu Krishti profetizoi se para ditës së fundit të botës tonë kur Ai do të vijë përsëri në botë për të gjykuar gjithë njerëzimin, njerëzit e atij brezi të fundit do të shikojnë dhe vuajnë disa mundime globale që quhen “shenja apokaliptike” si: ”Do të ngrihen komb kundër kombi, mbretëri kundër mbretërisë, do të ndodhin tërmete të mëdha, zi buke e murtaja vend më vend,…njerëzit do të mbahen nga frika e pyetjes se çfarë do ta pllakosë botën? (Luka 21:11) “Këto gjëra nuk duhet të jenë tjetër veçsve fillimi i dhembjeve të Lindje”(Luka: 13 -8)
Por le të përqëndrohemi tek njera nga këto shenja si epidemia e murtajës. Në Bibël, fjala “murtajë” del 65 herë, ndërsa “epidemi” 47 herë.
Njerëzimi për gjatë shekujve ka patur shumë goditje nga sëmundje epidemike si murtaja që kanë lënë gjurmë në histori, por në shek 20 sidomos mbas Luftës së Parë Botërore kemi pandemi që ia kalojnë epidemive të murtajës, si pandemitë nga viruset e gripit, apo koronaviruset si ajo e vitit 1920 e njohur me emrin “gripi spanjoll” që u përhap gati në të gjithë botën dhe preku më shumë se 500 milion njerëz dhe vdiqën prej saj rreth 100 milion njerëz. Edhe pse teknologjia mjeksore ka përparuar në mënyrë galopante me zbulimin e vaksiave kundër viruseve infektive përsëri në shekullin e 21-të ku ne gjendemi, pandemitë vdekjeprurëse nga koronaviruset kanë qenë në rritje si ajo e koronavirusit (SARS) në vitin 2003 dhe gjatë periudhës vitit 2009-2010 gripi (H1N1), ose “gripi i derrit”, dhe në vitin 2012 u shfaq koronavirusi (MERS) dhe tani në nëntor të vitit 2019 në Wuhan të Kinës shpertheu (COVID-19) një koronavirus i panjohur dhe shumë agresiv që po e infekton me shpejtësi gjithë globin me viktima në rritje dhe po krijon shumë ankth mes njerëzve.
Të gjitha këto pandemi epidemike që po bëhen gjthnjë e më të shpeshta edhe kërcënuese së bashku me të tjera fatkeqësi natyrore si tërmete,zjarre,përmbytje etj, nuk janë të rastësishme,por sipas Biblës janë pasojë e mëkateve të njerëzve të këtij brezi mëkatar që apostull Pavli i ka profetizuar shumë shekuj më parë : “Dije këtë se në ditët e fundit kanë për të ardhur kohë të këqija, sepse njerëzit do të jenë egoistë, argjendashës, lakmues parash, mburravecë, mendjemëdhenj, blasfemues, të pabindur ndaj prindërve, mosmirënjohës, të paudhë, të padhembshur, të papajtueshëm, shpifës, të papërmbajtur, të egër, të tillë që nuk duan të mirën, tradhtarë, gojëlëshuar, fodull, dëfrimdashës, më shumë se Perëndidashës. Të perëndishëm në dukje, por mohues të fuqisë së saj dhe nga këta largohu” (II Tim. 3:1-5)
Kësaj liste të tipit të mëkatarëve duhet t’i shtojmë edhe të tjerë lloje mëkatarësh që na përmenden në Bibël: “janë qentë, (d.m.th. të pabesët), magjistarët, kurvarët, vrasësit, idhujtarët dhe kushdo që do dhe bën gënjeshtrën. (Zb. 22:12-15) Po ashtu shkelësit e kurorës, të zhburrëruarit, homoseksualët,perversët, si edhe ata që vrasin fëmijët me anë të abordit.
Ajo që duhet të dimë është se këto fatkeqësi globale nuk krijohen dhe nuk vijnë nga Zoti i Gjithëmirë, i Cili nuk mund të bëjë keq, ose t’i krijojë vuajtje krijesave të tij dhe në veçanti njeriut i krijuar sipas ikonës të Perëndisë, ashtu siç e sqaron nxënësi i Krishtit apostull Jakovi: “Askush kur tundohet të mos thotë: “Jam tunduar nga Perëndinë,” sepse Perëndia nuk mund të tundohet nga e keqja, dhe ai vet nuk tundon asnjeri. Por secili tundohet i udhëhequr dhe i mashtruar nga lakminë e vet. Pastaj lakmia, pasi mbarset, pjell mëkatin dhe mëkati, si të kryhet, ngjiz vdekjen.”(Jakovi 1 13-14 )
Ky brez që Krishti e ka etiketuar si i “pabesë edhe imoral”(Mateu 17:17) d.m.th ateist, adhurues demonësh dhe i shthurur deri në perversion ka mbledhur shumë energji negative mëkati të cilat patjetër që do t’i bëhen një bumerang, prandaj edhe këto pandemi nuk duhen të merren si mutacione të rastësishme të virusit nga kafshët tek njeriu, por problemi është më i thellë, është moral. Energjia negative mëkatare që vetë njerëzimi i ka mbledhur rreth vetëvetes, largon hirin e Perëndisë që rregullon çdo gjë për të mirën tonë dhe mjedisit ku jetojmë dhe kur hiri largohet atëhere gjithëçka e natyrshme prishet në ekuilibrin e saj dhe del jashtë kontrollit si brenda njeriut dhe jashtë tij.
Pra mëkati personal dhe kolektiv është një devijim nga rregulli i krijimit i vendosur nga providenca Hyjnore dhe bëhet shkatari i prishjes së lidhjes të njeriut me Perëndinë, të njeriut me njeriun dhe njeriut me natyrën, prandaj edhe viruset që janë të shumta rreth nesh duke marrë shkak nga mëkati dhe si një ushtri e instrumetalizuar nga forcat e errta demoniake ngrihet kundër shëndetit të njeriut si një cunam shkatërrues duke ju rezikuar jetën dhe qytetrimin.
Pavarësisht masave paraprake higjenike që duhen marrë për ta parandaluar përhapjen dhe përpjekjeve për ta asgjesuar virusin me vaksinën e duhur, emergjente është një ndërgjegjësim i shkaku- pasojës të gjendjes ku ndodhemi që si thamë nuk është thjesht mutacion natyror, por një devijim moral. Prandaj ashtu si duhet të lajmë shpesh duart, duhet të lajmë sa më shpejt me lot pendimi ndërgjegjen e infektuar nga mëkati ashtu si na thuhet në Bibël: “Afrohuni te Perëndia dhe ai do t`ju afrohet juve; pastroni duart tuaja, o mëkatarë; dhe pastroni zemrat o njerëz me dy mendje!”(Jakobi 4:8)
Duhet një reflektim që nga njerëzit e piramidës së pushtetit të cilët janë përgjegjësit e parë që hartojnë ligje dhe drejtojnë turmat kundra vullnetit dhe moralit Hyjnor, por edhe tek çdokush nga njerëzit që iu binden dhe i aprovojnë verbërisht këto ligje amorale, sepse ju pëlqen apostazia dhe shthurja perverse që vjen prej saj.
Ky sulm i virusit Covid 19 po na tregon se njeriu modern pavarësisht me egon e tij eusforike kërkon të sfidoj Perëndinë, ligjet dhe porositë e tij morale, përsëri është kaq i vogël dhe mjeran pa Zotin, sa që një virus i padukshëm e gjunjëzon dhe e vdes: “sepse paga e mëkatit është vdekja” (Romakëve 6:23)
Kështu para se përballë këtij reziku të përbashkët në rritje të thërasim: “O Zot na ndimo” duhet të lutemi në fillim: “O Zot na fal” dhe jo një: “më fal” me hipokrizi për të kaluar rrezikun e rradhës, por vendim dhe veprime konkrete, rikthimi me pendim, duke u tërhequr nga egoizmi se ne të vetëm do ta mundim të keqën që ja bëmë vetes dhe vetëm kështu t’i hapim rrugën Zotit të Gjithëpushtetshëm,Mjekut të shpirtrave dhe trupave tanë, që ta largojë sa më shpejt këtë të keqe të që na infekton në mënyr të padukshme, por që merr fuqi nga mëkatet tona të dukshme.
Në të kundërtën gjëra më të këqija do na vizitojnë jo vetëm nga toka, por edhe nga qielli, ashtu si janë të shkruara në Bibël: “Do të ndodhin edhe dukuri të llahtarshme dhe shenja të mëdha nga qielli…Dhe do të ketë shenja në diell, në hënë dhe në yje, dhe mbi tokë ankth popujsh, në përhumbjen prej gjëmës së detit dhe të valëve të tij; njerëzit do të mpaken nga frika dhe nga pritja se çfare do ta pllakosë botën, sepse fuqitë qiellore do të lëkunden. Atëherë do të shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi një re, me fuqi dhe lavdi të madhe.(Luka 21:11)
Ne njerëzit ndryshe nga kafshët kemi privilegjin e lirisë që të zgjedhim, t’i përulemi Zotit, ose ta sfidojmë Atë, por kjo liri nuk na bënë autonom, sepse ne përsëri mbetemi krijesë e varur nga Krijuesi dhe jemi përgjegjës për veprimet tona dhe patjetër do pagojmë një ditë koston e veprimeve tona, prandaj edhe Bibla mbyllet me këto fjalë të Krishtit Biri Zoti-Biri i Njeriut, Shpëtimtari dhe Gjykatësi i njerëzimit: “Mos i vulos profecitë e këtij libri sepse koha është afër. Ai që bën paudhësi le të bëjë paudhësi, kush është i padrejtë le të vazhdojë të jetë i padrejtë, kush është i ndyrë le të vazhdojë të jetë i ndyrë, kush është i drejtë le të vazhdojë të jetë i drejtë, kush është i shenjtë le të vazhdojë të shenjtërohet. Dhe ja Unë vij shpejt dhe shpërblimi është në mua për t’i dhënë gjithësecilit sikundër do të jetë vepra e tij.”(Zbulesa 22:10)
Kështu për ata që kanë sy për të parë dhe veshë për të dëgjuar këto shenja nuk mund të jenë rastësi, por këmbana alarmi, shenja apokaliptike globale që po na paralajmërojnë se Zoti po vjen. Le të bëhemi gati ta presim.
Miron Çako; Përgjegjësi i Zyrës së Katekizmit të Kryepiskopatës KOASH.
Diskutime rreth kësaj post