Shqipëria është në karantinë për shkak të koronavirusit. Edhe pse është një fundjavë me një mot shumë të mirë, shqiptarët duhet të luftojnë me një armik të padukshëm, që po rrezikon jetët e njerëzve.
Sipas CNN, koronavirusi vret 1 deri në 2 përqind të personave të infektuar, në krahasim me vetëm 0.1 përqind të gripit sezonal. Duke e menduar se nuk ka trajtim specifik, as kurë dhe as vaksinë, koronavirusi bëhet i frikshëm.
Por a mund të largohet koronavirusi për shkak të afrimit të kohës së ngrohtë?
“Kjo është një sëmundje respiratore, e cila na shkakton gjithmonë probleme gjatë kohës së ftohtë, për arsye të qarta”, – thotë Nelson Michael, një shkencëtar i ushtrisë amerikane.
Michael thotë se koronavirusi mund të veprojë njësoj si gripi dhe të na shkaktojë më pak probleme teksa moti ngrohet, por ai bën kujdes kur thotë se virusi mund të kthehet kur të bëhet sërish ftohtë.
Shpresat janë që muajt e ngrohtë të reduktojnë numrin e rasteve me koronavirus duke lehtësuar kështu spitalet, por edhe duke blerë kohë që të prodhohet vaksina.
“Duhet të kuptojmë se shumë prej asaj që po bëjmë ne tani ka lidhje me përgatitjet për valën e dytë të kësaj,” – thotë Michael.
Po nëse koronavirusi nuk vepron si gripi? Ne kemi parë raste edhe në vende të ngrohta si në Australi, Brazil, Argjentinë dhe Singapor?
Sipas CNN, ka të dhëna që sugjerojnë se virusi vepron mirë në një klimë të caktuar. Për shembull, vendet më të prekura, Irani, Italia, Koreja e Jugut dhe vetë qyteti ku shpë rtheu vir usi në Kinë, kanë temperatura dhe lagështi të njëjtë.
Të dhënat e Universitetit të Merilendit madje sugjerojnë se ka disa zona të caktuara më të rrezikuara.
Ekspertja Brittany Kmush thotë se gripi dhe koronavirusët në përgjithësi ndjekin linjën stinore dhe kulmin e kanë në periudhën e dimrit.
“Megjithatë, ne nuk e dimë se si do të sillet ky virus,” – shton ajo.
Por teksa shumë ekspertë nuk e thonë dot me saktësi nëse koronavirusi do të sillet njësoj si gripi, vende si Kina dhe Koreja e Jugut kanë treguar se mund të ulin ndjeshëm përhapjen duke ndërmarrë masa të ndryshme.
Ajo që mbetet të shihet është nëse virusi do rikthehet fuqishëm kur këto masa të lehtësohen apo ai është vendosur plotësisht nën kontroll.
“Ka akoma shumë gjëra që nuk i dimë për këtë virus. Nëse rastet ulen në verë, do ishte një mundësi e mirë për t’u përgatitur për rikthimin e tij në dimër”, – thotë Kmush.
Diskutime rreth kësaj post