Me lot në sy një infermiere në Milano ka shpjeguar situatën brenda spitaleve në Itali. Në rrëfimin e saj, Daniela Confalonieri thotë se situata është dramatike.
“Për fat të mirë në departamentin ku jam unë është më qetë. Por lajmet që vijnë nga kolegët më thonë se situata është shumë e rënduar. Pjesa më e vështirë është që njerëzit të kuptojnë rekomandimet e dhëna nga qeveria, sidomos të moshuarit. Ata nuk i kuptojnë ato. Nuk e shohin rrezikun dhe e nënvlerësojnë atë. Shumica e njerëzve veprojnë kështu”, – thotë ajo në një video të shpërndarë edhe nga Zëri i Amerikës.
“Në vazhdimësi u shpjegojmë, u japim maska nga spitali. Por furnizimeve tona po u vjen fundi, lëngjet dhe spërkatësit e dezinfektimit dhe maskat”, – shton ajo.
Madje, sipas saj, njerëzit nuk arrijnë të gjejnë furnizime as në barnatore.
“Shumë prej tyre kërkojnë falje kur vijnë, sepse nuk kanë gjetur maska. Është situatë e rënduar. Sa i përket stafit, doktorët po bëjnë gjithçka që është e mundur, duke u munduar të mësojnë njerëzit si të veprojnë, si të përdorin dorezat, maskat dhe gjithmonë duke i këshilluar që vetëm kur u duhet patjetër të dalin në ambiente të jashtme”.
Ajo vë në pah faktin se njerëzit nuk po e kuptojnë rrezikun. “Sot ka më pak njerëz në rrugë, por deri dje një park i madh në Milano ishte i mbushur me fëmijë. Kjo nuk është një gjë e mirë. Pra njerëzit nuk po e kuptojnë rrezikun”, – ka thënë më tej infermierja italiane.
VIDEO:
Diskutime rreth kësaj post