Ambasadori i Shqipërisë në Kinë, Selim Belortaja, ka komentuar situatën lidhur me koronavirusin të cilën po kalon Shqipëria.
Belortaja i bën apel politikës shqiptare se nuk është momenti për t’u shpërndarë dhe për të sulmuar njëri-tjetrin, pasi këto akte vetëm dëmtojnë.
Ambasadori shkruan:
Avantazhin që i dha Kinës uniteti absolut që ofron sistemi përballë virusit, ne s’mund ta kemi. Por një hap mund ta bëjmë:
Më lejoni me modesti t’i propozoj politikës sonë hapin urgjent: të vulosin së bashku “Paktin kombëtar për përballimin e Epidemisë”! Çdo sulm i një pjese tonës kundër tjetrës, çdo akuzë sado e drejtë, çdo harxhim energjish e burimesh për të fundosur njëri-tjetrin pikërisht në këto ditë, veçse na leqendis, na shkatërron besimin, dobëson imunitetin, trondit furnizimet, dekurajon mjekët, çorodit funksionimin e makinerisë e cila po përpiqet të shpëtojë jetët tona. Ok, sistemoni faktet, akuzat, kopsisni letrat, shtroni modele për mirëqeverisje, por ju lutem gjërat kanë prioritet: le ta shtyjmë kete betejën mes nesh për pak më vonë: sapo të kemi garantuar JETËN! Sot ..nuk e kemi luksin dhe as atë potencial qe ..të shpërndahemi!!” ka përfunduar statusin e tij ambasadori.
Diskutime rreth kësaj post