Deputetja e grupit parlamentar demokrat, Rudina Hajdari, deklaroi në studion e emisionit “Ditari” se propozimet e Partisë Demokratike në tryezën e Reformës Zgjedhore në disa raste kanë qenë të “ashpra”, por shtoi se “disa prej tyre patjetër që do të implementohen”.
“Të gjitha propozimet duhet të kenë afatgjatësi, që të kemi një qëndrueshmëri në mënyrën se si i bëjmë zgjedhjet në Shqipëri. Unë mirëpres propozimet e të gjitha palëve dhe do të shikojmë më pas vijën e mesme. Tryeza nuk mund të plotësojë kërkesat e vetëm njërës palë. Gjithçka varet nga vullneti politik. Nëse duam Reformë Zgjedhore që mos të pengojë integrimin e vendit, duhet të punojmë fort. Nuk mund të vijmë në tryezë duke menduar se çdo gjë që do të kërkojmë, do të plotësohet. Duhet të mos gjejmë alibi për ta prishur këtë tryezë. Duhet të lëshojmë pak në të mirë të vendit”, u shpreh Hajdari.
Bashkëkryetarja e Komisionit të Reformës Zgjedhore nënvizoi më tej: “Ne duam të ndryshojmë sistemin për të luftuar krimin zgjedhor. Sistemi kombëtar proporcional me lista të hapura heq personat që zgjidhen sepse kanë ndikim në zona të caktuara. Duke patur një listë të hapur, këta persona nuk do të kenë mundësinë që të zgjidhen në një zonë, pasi duhet të luftojnë në të gjithë vendin. Listat e hapura e çojnë deputetin më afër zgjedhësit dhe mendoj se kjo ndihmon në zhvillimin e demokracisë në vend”.
Diskutime rreth kësaj post