Ditët e fundit, kreu i shtetit Ilir Meta, ka rrëmbyer flamurin për të mbrojtur vendin nga ajo që e quan “puç kushtetues” dhe “grusht shteti”.
Blendi Fevziu shprehet se kjo situatë vjen edhe për faktin se opozita i braktisi institucionet.
Fevziu: Nëse e sheh nga këndvështrimi i balancës së institucioneve mendoj se largimi nga parlamenti ka fuqizuar mazhorancën në parlament dhe e ka vendosur në pozicion të vështirë Presidentin dhe institucionet e pavarura që duhet të merrnin vendimet.
Debati për Gjykatën Kushtetuese u riaktivizuar pikërisht në 18 shkurt, fiks një vit pasi opozita dogji mandatet.
Sot pas 1 viti gjithëkush ngre pyetjen: Çfarë u arrit nga ky akt i paprecedent?
Fevziu: Nëse e sheh në këndvështrimin e rrëzimit të Ramës është i dështuar, nëse e sheh në këndvështrimin e institucioneve prapë është i dështuar, nëse e sheh në këndvështrimin e sensibilitetit për zgjedhjet dhe një lloj sensibiliteti ndërkombëtar mendoj se ka arritur një lloj qëllimi. Duhen marrë të treja bashkë dhe vendosur në një lloj balance për të kuptuar se çfarë ndodh. Në gjykimin tim produkti i këtij vendimi nuk ka justifikuar vendimin në vetëvete.
Por si lexohet kalimi i opozitës nga protesta dhe thirrje të forta, në procese konstruktive, siç është ai për reformën zgjedhore?
Fevziu: Në momentin që futesh në sistem nuk mund të jesh edhe në rrugë, edhe në sistem, nuk mund të jesh edhe revolucionar edhe parlamentar. Nuk ndodhin të dyja. Opozita është ulur për reformën zgjedhore dhe do të shkojë drejt zgjedhjeve.
Djegies së mandateve Fevziu ja njeh një meritë.
Fevziu: Evidentoi sesa karagjozë futen nëpër listat parlamentare të partive politike.
Diskutime rreth kësaj post