Zv.ministri i Jashtëm, Sokol Dedja ka folur mëngjesin e sotëm për mundësitë që ka Shqipëria për hapjen e negociatave për në BE. I ftuar në emisionin ‘ABC-ja e mëngjesit’, i pyetur nga Enkel Demi se sa optimist është për dhënien e një drite jeshile nga BE për Shqipërinë në mars, zv.ministri tha: “Optimist i kujdesshëm”.
Ndërkohë, Dedja u ndal po ashtu edhe në ndryshimin e metodologjisë për negociatat me BE, në një kohë kur presidenti francez Emmanuel Macron ka propozuar heqjen e vetos për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
“Kjo heq pengesën kryesore që u shfaq nga vendet për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Siç u shpreh në fillim, rezervat nga Franca kishin të bënin me negociatat. U shfaq nga një shumicë dërrmuese e vendeve anëtare, që problemi nuk ishte se çfarë kishte bërë Shqipëria apo Maqedonia e Veriut, problemi ishte më i madh se aq. Probleme që kishin të bënin me BE, me mënyrën e funksionit të BE, por edhe çështja e mënyrës së mosfunksionimit të disa vendeve anëtarë për mënyrën se si janë negociatat.
Metodologjie e re heq këtë pengesë për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Për data nuk e di, por e rëndësishme është që hiqet kjo pengesë dhe kjo është shprehur publikisht nga Presidenti francez. Ky është një lajm i mirë, ka elementin e vështirësië në procesin e negociatave, por synon atë që përmenda më herët një ndikim transformues në vendet që kërkojnë çeljen e negociatave.
Një element më teknik është grupimi i kapitujve , deri tani kanë qenë të ndara në 35 fusha. Këto grupohen në 6 grupe kapitujsh, më i rëndësishme është “mirëqeverisja”. Deri tani plotësoheshin kushtet e një kapitulli dhe hapej ai kapitull. Tani duhet të plotësosh kushtet e 5 kapitujve të bllokut të “mirëqeverisjes” që të hapet i gjithë blloku. Kjo e vështirëson hapjen e bllokut. Komisioni ka një propozim për ta kompensuar këtë duke ngushtuar kohën sa mund të zgjasë negocimi i një blloku. Metodologjia që po flasim është propozim i KE, formën përfundimtare do ia japin vendet anëtare”, – u shpreh zv.ministri.
Diskutime rreth kësaj post