Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Luigi Soreca, foli për risitë që metodologjia e re e zgjerimit mund të sjellë në rrugën evropiane të Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor.
Kryediplomati i BE deklaroi se kjo metodologji do iu japë mundësi të gjithë vendeve anëtare të BE të sjellin ekspertë në Shqipëri, për të parë nga afër zhvillimet këtu, por edhe për të bërë vlerësimet, në mënyrë që në pranverë të mos ketë më asnjë vend, që të hezitojë për hapjen e negociatave, siç ndodhi në muajin tetor të 2019.
“Javën e shkuar KE miratoi metodologjinë e re të zgjerimit. Më lejoni t’iu shpjegoj se çfarë është kjo metodologji e re dhe çfarë ka ndryshuar në proces. Të gjithë ne e dimë që Samiti i KE nuk solli çeljen e negociatave, siç kishim shprehur të gjithë. Në veçanti kjo është arsyeja që KE është përpjekur të gjejë pse ka ndodhur kjo dhe të shohë se si procesi të jetë më i parashikueshëm. Ne duam të krijojmë besimin e fortë mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, Shqipërisë dhe BE. Me këtë metodologji të re, udhëheqësit e BE do të kenë një debat në vit me ecurinë që do kenë bërë këto vende. Një element tjetër i rëndësishëm është se BE do i përfshijë më shumë shtetet anëtare lidhur me ecurinë.
Ekspertët e shteteve anëtare do jenë pjesë e të gjitha ekipeve që do vijnë të bëjnë vlerësimin, së bashku me zyrtarët e BE. Shtetet anëtare do kenë mundësi të ndjejnë pronësi mbi ato rezultate që do nxjerrin vetë zyrtarët e tyre. Procesi do të jetë i parashikueshëm, ne do duhet të sqarojmë qartë kushtet, që të mos ketë vagullësi në lidhje me mënyrën si gjykohet një shtet kandidat. Ne do t’i shohim të gjitha këto hollësi dhe detaje. Prandaj, është shumë e rëndësishme që shtetet anëtare të jenë të përfshira në punën monitoruese. Kjo do të ndodhë, duke krijuar grupime kapitujsh të ndryshëm, ne kemi propozuar të kemi 6 fusha me 35 kapituj. Puna do të jetë më dinamike. Edhe për negociatat, puna më pas, do të jetë më gjithëpërfshirëse dhe nuk do të jetë e ndarë në nënfusha.
Është bërë një thirrje e fortë nga shtetet anëtare, që të kenë mundësi ta kthejnë pas procesin e negocimit, në rast se do të ketë hapa pas Pra, do të ketë edhe veprim nga BE. BE do të mund të pezullojë, madje edhe të ndalojë negociatat, nëse do të jetë e nevojshme. Kjo metodologji po diskutohet me shtetet anëtare dhe kemi besim se i përmbush të gjitha kërkesat e shteteve anëtare, në veçanti të atyre që ishin hezituese në tetor. Në këtë mënyrë, besoj se do jemi duke ecur në rrugën e duhur, në lidhje me çeljen e negociatave në pranverë”, – tha ambasadori Soreca.
Diskutime rreth kësaj post