Mazhoranca e ka gjetur zgjidhjen për të shmangur bllokimin e betimit të magjistratëve te Presidenti. Betimi i magjistratëve në rast refuzimi nga ana e presidentit do të bëhet me shkrim.
Komisioni i Ligjeve miratoi sot ndryshimet e propozuara në ligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Nëse anëtari i Gjykatës Kushtetuese nuk thirret për të bere betimin brenda 10 ditëve, me ndryshimet e reja që pëson ligji, pas përfundimit të këtij afati, ai kryen betimin në formë të shkruar dhe ia dërgon atë Presidentit të Republikës, organit te emërtesës dhe Gjykatës Kushtetuese.
Betimi i anëtarëve të Gjykatës së Lartë organizohet nga Këshilli i Lartë Gjyqësor brenda 10 ditëve. Nëse anëtari i Gjykatës së Lartë nuk thirret për të bërë betimin, pas përfundimit të këtij afati, ai kryen betimin në formë të shkruar dhe ia dërgon atë të nënshkruar personalisht Këshillit të Lartë Gjyqësor, po ashtu edhe për prokurorët.
Kujtojmë që kjo lëvizje erdhi pas ngërçit që përfshiu presidencën dhe Gjykatën Kushtetuese me organizimin e ceremonisë së betimit për Arta Vorpsin, e cila zgjodhi të betohej pranë një notereje.
Diskutime rreth kësaj post