Një natë pasi kryeministri në ikje Ramush Haradinaj sërish këmbënguli në bindjen e tij se Rama ka qenë pjesë e projektit për ndarjen e Kosovës, ky i fundit edhe njëherë është shprehur po ashtu i bindur se pse homologu i tij në Prishtinë duhet çuar në gjyq për shpifje.
“Ramushi e ka kthyer shpifjen në pushkë qëkur ka lënë pushkën! Por nëse për pushkën i’a kam bëre të gjitha nderimet e mundshme dhe të merituara, për shpifjet nuk mund t’i bëj asgjë tjetër përveçse ta ftoj në gjykatën e Kosovës që t’u dalë për zot atyre që ka nxjerrë nga goja.
Sepse ndryshe nga Ramushi dhe nga ai soj politikanësh qe s’kanë fijen e respektit as për fjalën, as për të vërtetën, as për publikun, unë nuk ulem dot në nivelin e shpifësit publik për ta luftuar bërllogun me bërllog. Pafytyrësi nuk është të shkosh në gjykatë për t’u mbrojtur nga një shpifës që të ka cënuar publikisht dinjitetin, po të përdoresh kanalet e komunikimit publik për të shpifur në mënyrë të përsëritur.
Nuk është akt i turpshëm t’i nënshtrohesh gjykimit të drejtësisë si viktimë e një shpifësi që të sulmon si tradhtar të kombit me fabrikime të ulëta, po turp është të bësh agresorin ndaj dikujt tjetër për të manipuluar opinionin publik duke fabrikuar gjëra krejt të paqena.”, tha Rama në një prononcim për TCH.
Rama mohoi kategorikisht që ai të ketë dashur ndarjen e Kosovës.
“E vërteta është se unë kam dashur ta ndaj Kosovën, po aq sa ç’ka dashur Ramushi ta ndajë Princ Harry-n nga Familja Mbretërore! Shkurt fjala, komandanti i djeshëm i UÇK-se Ramush Haradinaj, e ka merituar dhe do ta ketë për gjithë jetën respektin tim, për gjithçka i ka dhënë kauzës së lirisë së Kosovës, ndërsa politikani i sotëm Ramush Haradinaj, meriton vetëm keqardhjen time për bërllogun politik e gjuhësor ku ushtron veprimtarinë dhe pushtetin e tij”, theksoi Rama.
“Uroj që padia ime të vlejë për t’u hapur sadopak sytë atyre që kanë rënë pre e berllogut politik e mediatik të Prishtinës e të Tiranës”, theksoi shefi i qeverisë shqiptare. /tesheshi
Diskutime rreth kësaj post