Mbrëmjen e djeshme, kryeministri në detyrë i Kosovës Ramush Haradinaj, i ftuar në emision “Open” thelloi akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama me pretendimin se shefi qeverisë shqiptare ka tentuar ndarjen e Kosovës.
Sot ka ardhur edhe reagimi i parë i kryeminstirit Edi Rama për TCH.
“Ramushi e ka kthyer shpifjen në pushkë qëkur ka lënë pushkën! Por nëse për pushkën i’a kam bëre të gjitha nderimet e mundshme dhe të merituara, për shpifjet nuk mund t’i bëj asgjë tjetër përveçse ta ftoj në gjykatën e Kosovës që t’u dalë për zot atyre që ka nxjerrë nga goja! Sepse ndryshe nga Ramushi dhe nga ai soj politikanësh qe s’kanë fijen e respektit as për fjalën, as për të vërtetën, as për publikun, unë nuk ulem dot në nivelin e shpifësit publik për ta luftuar bërllogun me berllog! Pafytyrësi nuk është të shkosh në gjykate për t’u mbrojtur nga një shpifës që të ka cënuar publikisht dinjitetin, po të përdorësh kanalet e komunikimit publik për të shpifur në mënyrë të përsëritur!
Nuk është akt i turpshëm t’i nënshtrohesh gjykimit të drejtësisë si viktime e një shpifësi që të sulmon si tradhëtar të kombit me fabrikime të ulëta, po turp është të bësh agresorin ndaj dikujt tjetër për të manipuluar opinionin publik duke fabrikuar gjera krejt te paqena! E vërteta është se unë kam dashur ta ndaj Kosoven, po aq sa ç’ka dashur Ramushi ta ndajë Princ Harryn nga Familja Mbreterore! Shkurt fjala, komandanti i djeshëm i UÇK-se Ramush Haradinaj, e ka merituar dhe do ta ketë për gjithë jetën respektin tim, për gjithçka i ka dhënë kauzës së lirisë së Kosovës, ndërsa politikani i sotëm Ramush Haradinaj, meriton vetëm keqardhjen time për bërllogun politik e gjuhësor ku ushtron veprimtarinë dhe pushtetin e tij.
Është dëshpëruese kur sheh se si politika qorre e Ramushit e ka dëmtuar keq Kosovën në sytë e miqve të saj të mëdhenj dhe i ka dhënë Serbisë një avantazh të vazhdueshëm në arenën ndërkombëtare ne raport me Kosovën. Uroj qe padia ime të vleje për t’u hapur sadopak sytë atyre që kanë rënë pre e bërllogut politik e mediatik të Prishtinës e të Tiranës”, – thotë Rama në përgjigjen e tij.
Diskutime rreth kësaj post