Zbardhet shkresa që presidenti Ilir Meta i është drejtuar Komisionit të Venecias “Për dhënien e një opinioni mbi procesin e zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese në Republikën e Shqipërisë”. Përzgjedhja e anëtarëve për në Gjykatën Kushtetuese është kthyer në arenë debati mes presidentit Ilir Meta dhe kreut të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani e Parlamentit. Kreu i shtetit akuzon qeverinë se po tenton të kapë Kushtetuesen dhe se sipas tij po pengohet qëllimisht ngritja dhe funksionimi normal i Kushtetueses.
Kreu i shtetit publikoi dje letrën që i drejtoi Venecias, ku ajo që bie në sy është përsëritja e akuzave në drejtim të kreut të KED Ardian Dvorani, kryeministrit Edi Rama, por edhe Parlamentit. Në shkresën e tij për në Venecia, Meta ka dërguar edhe informacione të cunguara për t’u “shfajësuar” për veprimet e tij në zgjedhjen e një prej anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese jashtë afatit kohor të përcaktuar me ligj dhe jashtë listës së tre të parëve të renditur nga KED, të përcaktuar në Kushtetutë. Kërkesën e tij për Venecian, ai e nis me akuzën që sipas tij, institucioni kryesor i keqzbatimit të reformës në drejtësi është pikërisht Kuvendi, tashmë mono-partiak.
“Vetëm dy muaj pas Opinionit të Komisionit të Venecias, Kuvendi i drejtohet sërish Komisionit më 30 dhjetor 2019 për një tjetër opinion. Qëllimi i pafshehur i Kuvendit është të tentojë sërish mbulimin e vendimit për shkarkimin e Presidentit nën siglën e Komisionit të Venecias, dhe kapjen politike edhe të Gjykatës Kushtetuese. Mungesa e bashkëpunimit nga Kuvendi i Shqipërisë me Presidentin e Republikës në këtë proces, është evidente dhe e mirëdokumentuar”, – tha Meta.
Sulmet ndaj Dvoranit
Por në shkresën drejtuar Vernecias, Meta sulmon ashpër kreun e KED. Ndonëse është shkresë zyrtare, ajo ngjason me kërkesë-padinë që kreu i shtetit depozitoi në prokurori për Ardian Dvoranin. Në ripërsëritje të argumentit, Meta shprehet se Dvorani është në shkelje të Kushtetutës, pasi sipas tij ai nuk ka publikuar procesverbalet e mbledhjeve, si dhe botoi në Fletoren Zyrtare emërimin e Arta Vorpsit si anëtare të Kushtetueses.
“Dërgimi për botim në Fletore Zyrtare i këtij akti nga Kryetari i KED Ardian Dvorani synoi të krijonte idenë e rreme se KED e pati diskutuar këtë çështje në mbledhjen e datës 7 nëntor 2019 dhe pati vendosur publikimin në Fletoren Zyrtare të vendimit të tij nr. 132, datë 21 shtator 2019, në funksion të mekanizmit zhbllokues që parashikon ligji. Ky qe një tjetër inskenim nga Ardian Dvorani, pasi në të vërtetë, KED as në mbledhjen e datës 7 nëntor 2019, dhe as në ndonjë mbledhje tjetër, nuk mori ndonjë vendim të kësaj natyre dhe as ka diskutuar mbi këtë çështje”, – tha Meta.
Pasi ai ka përsëritur akuzat për dy KED (2017 dhe 2018) që nuk arritën të mblidhen, që sipas Metës për shkak të presionit të mazhorancës, ai është ndalur dhe te procesi i KED 2019 për renditjen e kandidatëve për Gjykatë Kushtetuese. Një nga argumentet që ngre është fakti se KED përzgjodhi si kandidatë persona që ende nuk e kishin kaluar dhe shkallën e dytë të vetingut, ku përmend emrin e Besnik Muçit dhe Regleta Panajotit. Por, si pa dashje, ai nuk përmend emrin dhe të Marsida Xhaferllarit, e cila në kohën e përzgjedhjes dhe ajo ishte pa e kaluar vetingun në shkallën e dytë, pavarësisht se pas zgjedhjes së saj nga Meta si anëtare e Kushtetueses, u tërhoq nga kjo çështje, duke përfituar nga fakti se anëtarët e Gjykatës Kushtetuese nuk i nënshtrohen procesit të vetingut, pasi zgjidhen në këtë detyrë.
Akuzat për mazhorancën
Por akuzat e Metës në shkresën e Venecias ishin edhe në drejtim të kryeministrit Rama, që sipas tij ka shantazhuar KED për mosplotësimin e vakancave në Kushtetuese. Sipas tij, mazhoranca socialiste është e vendosur për të kapur me çdo kusht të gjitha emërimet në Gjykatën Kushtetues.
Diskutime rreth kësaj post