Debate të shumta janë shkaktuar që pas tryezës së reformës zgjedhore që bëri bashkë palët politike, por la jashtë aleatët e opozitës, të cilët kanë ashpërsuar gjuhën që pas kësaj tryezë, ku duket se janë distancuar disi nga Partia Demokratike.
Ditën e djeshëm në një intervistë televizive në lidhje me reformën, por edhe aktualitetin politik, kreu i PAA Agron Duka, ka deklaruar se Shqipëria ndodhet në një krizë të thellë dhe opinionet e politikanëve dhe opinionistët nuk i japin dot zgjidhje problemit real. Sakaq ai deklaroi se është dakord edhe që të mbahen zgjedhjet e parakohshme. Duke u distancuar nga PD e cila i mëshon sistemit mazhoritar, Duka ashtu sikurse aleati tjetër i Bashës Dashamir Shehi theksoi se ndryshimi i sistemit nuk e zgjidh krizën politike.
“Sistemi mazhoritar është propozim i Partisë Demokratike, unë mendoj që këtu nuk është problemi i opinioneve por problemi i gjendjes së Shqipërisë mendoj se duhen zgjedhjet e parakohshme. Mendoj që sistemi nuk është se rregullon krizën politike dhe as lidhjen e mazhorancës me krimin. Sistemi është i padrejtë se njerëzit votojnë partinë dhe jo deputetët, edhe nëse ndryshojmë sistemin ne nuk ndryshojmë në problematikën, në krizën dhe krimin, por japim njëfarë ndryshimi, do ishte mirë që sistemi të ndryshonte, nëse nuk del koha, jam dakord me atë që tha Shehi, nëse zgjedhjet shkojnë në 2021, duhet ndryshimi i sistemit e kjo është në dorë të Ramës. Basha thotë troç që në jemi gati që të shohim mundësinë e një sistemi mazhoritar, e rëndësishme është të ketë element mazhoritar”, – ka deklaruar Duka.
Po ashtu, në lidhje me uljen e palëve politike në tryezën e reformës zgjedhore Duka u shpreh se e sheh si një presion nga ana e ndërkombëtarëve uljen e tyre ne tryezë, por që sipas mendimit të tij ishte një vendim i drejtë pasi do të jepte një shtysë në procesin e integrimit. “Unë mendoj që ishte e diktuar nga ndërkombëtarët, një punë e bërë shumë mirë nga ana e opozitës për të tërhequr vëmendjen e tyre, por më së fundmi bindën edhe mazhorancën që të ulet në tryezë me mendimin që reforma zgjedhore nuk mund të bëhet vetëm me ata por edhe me opozitën”, – tha mes të tjerash Duka.
Diskutime rreth kësaj post