Teksa Prokuroria e Posaçme ka nisur nga sterilizimi hetimet për koncesionet në shëndetësi, qeveria ka vendosur të marrë masa. Pak ditë pas kallëzimit që u bë në SPAK, MSH ka vendosur të ndryshojë kontratën me koncesionarin. Lajmin e bëri me dije dje ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, e cila bëri të ditur se është amenduar kontrata e sterilizimit, ndërsa thekson se nuk preken ndërhyrjet për qytetarët.
“Kemi rishikuar kontratën koncesionare për shërbimet e integruara për ofrimin e seteve të personalizuara të instrumenteve kirurgjikalë, për furnizimin me materiale mjekësore një përdorimshe dhe trajtimin e mbetjeve dhe materialeve mjekësore kirurgjikale. Pas negociatave është konkluduar në Janar rishikimi i kësaj kontrate dhe ulja me 25% të çmimit për shërbimin e sterilizimit mbi një numër referencial mbi 64 mijë ndërhyrje në vit”, – tha ministrja Manastirliu.
Ajo shtoi më tej se është negociuar ulja e çmimit për të përmbushur nevojat për ndërhyrje kirurgjikale dhe për të përdorur më me efikasitet burimet financiare. Më tej, Manastirliu theksoi se ajo që synohet është cilësia.
“Tani mbi 64 mijë ndërhyrje ka reduktim 25% të pagesave për kompleksitetit. Numri i ndërhyrjeve nuk shtohet se duam ne, por nga sëmundshmëria. Ne duhet të synojmë shumë te cilësia, kjo do të thotë se nuk janë të rëndësishëm numrat, por cilësia. Numrat nuk kanë qenë problem. Nuk ka pasur reduktim, por racionalizim. Çdo institucion ka një buxhet, që është vjetor dhe harxhimet janë në bazë të asaj që ndodhet. Çdo spital organizon punën në bazë të prioriteteve dhe sigurisht urgjencat dhe planifikimet janë zgjidhur 100%. Është bërë një vlerësim i cili ka rakorduar që mund të rishikohet mbi një normale mbi 64 mijë ndërhyrje çmimi i seteve, kompleksiteteve të ndryshme, dhe është arritur për të reduktuar 25%, pra mbi 64 mijë ndërhyrje”, – bëri të ditur ministrja Manastirliu.
Kujtojmë se një muaj më parë, përfaqësuesit e nismës “Thurje” paditën ish- ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj, se ka abuzuar me koncesionin e sterilizimit, duke kërkuar nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion të rinisin hetimet. Vetëm dy ditë më parë prokurorët e çështjes morën në pyetje një nga paditësit, saktësisht mjekun Artan Koni.
Diskutime rreth kësaj post