Konfirmohen zërat për përplasje brenda opozitës. Gazeta e tha pak ditë më parë se tryeza e dialogut ka sjellë përçarje dhe kjo është konfirmuar dje nga kreu i LZHK Dashamir Shehi.
I ftuar dje në një studio televizive, Shehi ka deklaruar se ka eksponentë në radhët e opozitës të cilët nuk janë dakord me propozimin e PD dhe LSI për zgjedhje të parakohshme. Kreu i LZHK, Dashamir Shehi ka thënë se sa i takon reformës zgjedhore, ka një mungesë të vullnetit politik, pasi sipas tij nëse do të kishte pasur vullnet nga ana e politikanëve, reforma zgjedhore do të ishte mbyllur brenda dy javëve.
“Unë do ta kisha ndryshuar me kohë sistemin, por kemi bërë një kompromis ku, në shkëmbim të zgjedhjeve të parakohshme, kemi pranuar që të hyjmë në zgjedhje me çfarëdolloj sistemi. Nëse hyjmë në zgjedhje në 2021, mendoj se ka kohë që të ndryshohet sistemi. Mazhoranca nuk do zgjedhje të reja, por edhe brenda opozitës ka elementë që presin që dalëngadalë të “rrëshqasim” drejt vitit 2021. Mungon vullneti politik, pasi po të kishte vullnet, reforma zgjedhore mbyllet për dy javë. Janë gjëra që janë diskutuar më parë. Nëse duhen dy muaj për t’i hapur rrugën marrëveshjeve të tjera politike, kjo është çështje tjetër. Por, për një reformë që nuk prek sistemin, dy muaj janë shumë dhe ia kam bërë të qartë edhe kolegëve opozitarë”, – ka deklaruar Shehi.
Shehi: Reforma zgjedhore nuk mjafton
Kreu i LZHK, ka deklaruar ndër të tjera se në këndvështrimin e tij, reforma zgjedhore nuk i jep zgjidhje totale problemit të zgjedhjeve të lira e të ndershme që opozita kërkon. Shehi ka theksuar se duhet një ambient mediatik, i cili të mos jetë i kapur nga qeveria e të mos i shërbejë kësaj të fundit.
“Të shikojmë se si do të shkojë reforma zgjedhore, edhe pse e di fort mirë se nuk mjafton ajo për të bërë një palë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Duhet polici e depolitizuar, ambient mediatik që të mos jetë në shërbim të qeverisë dhe një ambient që të trembë kriminelët që mbledhin vota”, – nënvizoi kreu i LZHK-së.
Sakaq sa i takon 100-vjetorit të parlamentarizmit shqiptar, Shehi theksoi se e sheh me shumë trishtim gjendjen e sotme të Parlamentit. Ndër të tjera ai ka përmendur edhe emra, ku ndër ta është kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi, Shehi është shprehur se i vjen keq që ish-ministra të periudhës së socializmit janë ende në krye të shtetit.
“Parlamentarizmin tonë e shoh me shumë trishtim, pasi parlamentarizmin tonë e përfaqëson zoti Ruçi. Me gjithë respektin për të, por është ish-ministër i Enver Hoxhës. Edhe dje, kreu i Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë u votua këshilltari i Edi Ramës. Dhe ky Parlament e votoi me 100 vota”, – ka deklaruar Shehi.
Kreu I LZHK ka thënë se në institucionet e shtetit ka lindur nevoja për të pasur një revolucion. Shehi po ashtu ka theksuar se është nevoja edhe për një revolucion në fushën e kulturës.
“Duhet një revolucion te të gjitha institucionet e shtetit dhe duhet edhe evolucion kulturor. Ky popull meritonte t’i ishte afruar Evropës me shpejtësi tjetër. Është një vend që ishte i ri dhe po plaket nga politikat e këqija. Në fillim të viteve ‘90, mburreshim me pasuritë tona dhe me faktin që ishim popull i ri. Sot nuk e kemi më demografinë. Të gjitha proceset i çojnë përpara njerëzit dhe ne i shpërdoruam burimet njerëzore që kishim”, – ka deklaruar mes të tjerash kreu I LZHK, Dashamir Shehi.
Diskutime rreth kësaj post