Grupit hetimor të Prokurorisë së Durrësit që po shqyrton dëmet e tërmetit të 26 nëntorit i janë bashkuar edhe 7 ekspertë nga Italia.
I prani që ka pritur delegacionin e ekspertëve italianë është Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela. Bëhet e ditur se grupi që ka ardhur sot kryesohet nga dy prokurorë, oficerë të policisë gjyqësore dhe inxhiniere.
Ky takim është mundësuar nga PAMEKA, ndihma policore e BE-së në Shqipëri. Tema e diskutimit është asistenca teknike për tërmetin.
Ky grup ekspertësh ka qenë pjesë e hetimeve që nisën në Itali pas tërmetit në L’Aquila, ku gjithashtu pati viktima në njerëz e dëme të konsiderueshme materiale.
Tërmeti i 26 nëntorit shkaktoi 51 viktima dhe dëmtoi mijëra banesa. Qyteti më i dëmtuar ishte ai i Durrësit. Në qytetet e prekura nga tërmeti prokuroria ka nisur hetimet për veprat penale “Shpërdorim Detyre”, “Ndërtim pa leje” dhe “Dhënia e ndihmës për ndërtim pa leje”. /Opinion
Diskutime rreth kësaj post