“Një në gjashtë demokratë e mbështesin Lulzim Bashën si kryetar të Partisë Demokratike”-, tha ish-anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Edvin Kulluri gjatë një interviste televizive sot. Sipas Kullurit, është urgjencë mbledhja e Kuvendit Kombëtar të PD-së për reformimin e partisë.
“Partia duhet të hyjë në Kuvend Kombëtar për tu reformuar, për ta nxjerrë partinë nga kriza, për të pasur një program elektoral për zgjedhjet e ardhshme, dhe dalja në një qasje krejtësisht të re. Humbja e 2017-s ja pamundëson fitoren e Lulzim Bashës në 2021-shin, është humbje e rëndë, dhe sjellje e papërgjegjshme pas asaj humbje, sa rrënimi i Bashës është i parikuperueshëm. Vetëm 1 në 6 demokratë e mbështesin Bashën, e kemi me sondazhe”, tha Kulluri.
Ish-anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së tha se protestat e opozitës gjatë 2019-s sollën dëme për vetë partinë, pasi janë arrestuar me qindra persona, është shkaktuar tension social dhe ka pasur kosto në ekonomi dhe turizëm. Ndërsa fitorja politike nga protestat, ishte zero, sipas Kullurit, pasi nuk prodhuan asgjë.
Sipas Kullurit, marrëveshja politike e arritur për reformën zgjedhore është produkt i krizës së vjetshme, dhe dakordësia sipas tij ka ardhur në fund të 2018-s, pasi ka pasur një komision të përbashkët parlamentar.
“Mazhoranca është në axhendën e saj normale, është një komision rutinë që do të reflektojë rekomandimet e OSBE/ODIHR”, tha ai.
Kulluri tha se nuk ka rëndësi nëse marrëveshjen politike për zgjedhoren e kanë ndërmjetësuar apo jo ndërkombëtarët, në politikë rëndësi ka rezultati.
Diskutime rreth kësaj post