Gjyqtarja përkohësisht në Gjykatën e Posaçme, Marsela Balili u përball dje me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, pas përfundimit të hetimit vetëm për kriterin e pasurisë. Që në nisje të seancës dëgjimore, gjyqtarja Balili parashtroi disa kërkesa, të cilat jo të gjitha u pranuan nga trupa gjykuese. Që pa nisur relatimi, Balili kërkoi që të rihapet hetimi për kriterin e pasurisë, duke shtuar se do të sjellë disa prova të tjera.
Disa prova gjyqtarja i solli në seancën e djeshme, dhe disa dokumentet të tjera ajo i bëri me dije trupës gjykuese që priten të vijnë në ditët në vijim. Për këtë kërkesë dhe pas provave që Balili solli, trupa u tërhoq për vendim, duke vendosur që provat e administruara të pranohen dhe bënë të ditur që do të japin një përgjigje para se të jepet vendimi. Gjithashtu, gjyqtarja Balili kërkoi që Komisioni i Pavarur i Kualifikimit të riçelë hetimin për dy kriteret e rivlerësimit, atë të figurës dhe aftësive profesionale. Kërkesa e gjyqtares u rrëzua, por kryesuesja e trupës e njoftoi se gjyqtarja mund të japë shpjegime për dy kriteret e rivlerësimit, vetëm nëse do të arrijë të shpjegojë të kundërtën e konstatimeve të Komisionit për kriterin e pasurisë.
Pasuria e gjyqtares
Seancën e djeshme, relatorja e çështjes nxori në pah probleme të shumta në pasurinë e gjyqtares Marsela Balili. Nisur nga raporti i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, anëtarja e Gjykatës Speciale Antikorrupsion nuk ka kryer deklarim të saktë dhe në përputhje me ligjin, nuk ka burime financiare të mjaftueshme, ka kryer fshehje të pasurisë, ka bërë deklarim të rremë, nuk është në gjendje të konfliktit të interesit. Komisioni, pas hetimit, evidentoi pasuritë e gjyqtares, duke vënë në pah dhe problemet që janë konstatuar.
Për pasurinë apartament në Tiranë, blerë me kontratë me një kompani ndërtimi e blerë për 125 mijë euro, gjyqtarja Balili ka deklaruar si burim krijimi një kredi bankare 20 mijë euro, 61 mijë euro të fituara nga shitja e një banese, 14 mijë euro të marrë hua një person i lidhur me të, gjithashtu relatorja bëri të ditur se gjyqtarja ka 10 mijë euro detyrim të pashlyer tek firma e ndërtimit. Për këtë pasuri, Komisioni konstatoi mospërputhje me deklarimin e blerjes, dhe me çmimin e deklaruar të apartamentit. Gjithashtu, Komisioni ka konstatuar se gjyqtarja nuk e ka deklaruar porositjen e marrëveshjes me shoqërinë e ndërtimit. Po për këtë pasuri, KPK ka konstatuar se nuk ka deklaruar ndër vite shlyerjen e kësteve. Më tej, relatorja e çështjes tha se apartamenti është blerë 1.5 milion lekë më lirë se vlera e tregut. Në përfundim, Komisioni nuk ka konstatuar konflikt interesi mes gjyqtares dhe shoqërisë së ndërtimit. Gjithashtu, Komisioni relatori hetimin e bërë për burimin e krijimit për pasurinë apartament. Relatorja tha se për burimin kredi bankare 20 mijë euro, mungojnë dokumentet ligjore për pagesën e këstit, dhe për këtë iu është drejtuar shoqërisë për këtë informacion të cilin shoqëria nuk e kishte. Ndërsa për burimet e tjera të sipërpërmendura, KPK konstatoi mungesë të ardhurash të ligjshme, mungesë të dokumentacionit.
Sandër Simoni para KPK
Ndërsa sot Komisioni i Pavarur i Kualifikimit do të zhvillojë seancën gjyqësore për kreun e Gjykatës së Posaçme, Sandër Simoni. Ky i fundit para ngritjes së Gjykatës së Posaçme më 20 dhjetor, ishte në krye të Gjykatës së Krimeve të Rënda. Kryegjyqtari Simoni do të gjykohet nga trupa gjykuese e përbërë nga Brunilda Bekteshi, Roland Ilia, Olsi Komici.
Diskutime rreth kësaj post