Jo të gjithë deputetët e mazhorancës e dhuruan rrogën e muajit nëntor për tërmetin, kjo të paktën sipas vëzhgimit të kryer nga Instituti i Studimeve Politike, të pasqyruar edhe në raportin vëzhgues të periudhës shtator-dhjetor 2019.
SP thotë se nga të dhënat e deklaruara në faqen e Parlamentit 66 deputetë të mazhorancës e dhuruan rrogën e tyre të muajit nëntor për viktimat e tërmetit dhe procesin e rindërtimit pas tij. “Me siguri që nismës i janë bashkuar edhe 9 deputetët që janë pjesë e kabinetit qeveritar, megjithëse nuk ka pasur një deklaratë publike dhe as ndonjë të dhënë konkrete e të verifikueshme”, – thotë ISP.
Nga të dhënat e publikuara në faqen e Parlamentit rezulton se deputetët e tjerë të Kuvendit nuk deklaruan dhurim rroge dhe se zyrtarisht figurojnë përfitues të trajtimit të rregullt mujor financiar.
“Në këtë listë bëjnë pjesë edhe deputeti Robert Bitri, zyrtarisht pjesë e grupit parlamentar të PS, si dhe deputetët e tjerë Tom Doshi, Gjetan Gjetani, Eleni Xhina, Reme Lala e Lefter Koka, të cilët jo zyrtarisht janë pjesë e grupit të mazhorancës dhe mbështetës politikë të saj, pavarësisht se më 2017 janë zgjedhur përkatësisht nga PSD, PS, PDIU dhe LSI”, – thotë ISP.
Në raport, Instituti kujton rastin e deputetit biznesmen Vullnet Sinaj, që dhuroi 100 mln lek të vjetra. “Vlen të theksohet se në grupin parlamentar të PS dhe në Kuvend ka më shumë se 30 biznesmenë dhe Sinaj ishte i vetmi deputet që bëri një donacion publik nga të ardhurat e biznesit”, – thuhet në raport.
Instituti identifikon deputetët, që ndonëse nuk janë zyrtarisht pjesë e grupit parlamentar socialist janë mbështetës të qëndrueshëm të tyre.
Diskutime rreth kësaj post