Opozita parlamentare ka ngritur dje alarmin se mes kryeministrit Edi Rama dhe kryedemokratit Lulzim Basha ka një pak të fshehtë. Ka qenë deputeti Halit Valteri, i cili gjatë një prononcimi për mediat, shprehu dje bindjen se PS dhe PD nuk e duan ndryshimin e sistemit zgjedhor, ndërsa shtoi se reforma zgjedhore do të realizohet me opozitën që tashmë është në Parlament.
Në këtë kontekst, deputeti Valteri shprehu bindjen se marrëveshja mes Ramës dhe Bashës nuk do të funksionojë, pasi opozita e re nuk do ta lejojë një gjë të tillë.
“Zoti Basha, dhe njëherë bashkë me aleatët, me atë fugonin që lëvizin sa në Presidencë sa te PD sa te LSI, treguan edhe njëherë që me ata njerëz anonimë që bëhen tapë nëpër studio dhe u japin mend shqiptarëve se si të bëjnë sistem zgjedhor, thjesht dakordësuan edhe njëherë se atë sistemin që bënë në 2008, është ai që u përshtatet. Nuk ka asnjë lloj dakordësimi për sa kohë reforma zgjedhore ka një bashkëkryetare që është Rudina Hajdari, pa ndryshuar sistemin dhe pa hapur listat. Lulzim Basha dhe Edi Rama ta harrojnë se do bëjnë marrëveshje”, deklaroi Valteri.
Ndërkohë, deputeti tjetër i opozitës së re, Ralf Gjoni u shpreh gjatë një prononcimi për mediat dje se, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike nuk e duan ndryshimin e sistemit zgjedhor. Madje, zoti Gjoni shkoi deri atje, teksa akuzoi se partia më e madhe në opozitë dhe partitë e tjera jashtë Parlamentit janë duke pranuar që të mos ndryshojë sistemi zgjedhor, ndërsa shtoi se këto forca politike janë kthyer në aleatë të kryeministrit Edi Rama për të ruajtur bajraktarizmin e listave të mbyllura.
“Unë nuk kam asnjë qëndrim për deklaratat e Ramës dhe Bashës, pasi janë bërë si kandidatët për Oskar. Sa i përket qëndrimeve të fundit të partive jashtë Parlamentit për mos ndryshimin e sistemit, është e qartë, se këta janë të tre bashkë.”
“Nuk mund të quhen opozitë, por aleatët më të denjë të Ramës për mbajtjen e bajraktarizmit. Prioritetet për këtë vit janë hapja e listave dhe nisja e punës së SPAK-ut. Kemi që në mars të vitit të kaluar që flasim për marrëveshje të fshehta mes tyre, nuk do të ketë marrëveshje. Ne mund ta bëjmë politikën vetëm në kuadër institucional. PD-ja e ka vendin në komisionin e reformës, është e mirëpritur. Reforma do të bëhet në këtë Parlament, opozita jemi ne. Alternativa e vërtetë përballë Ramës jemi ne në Parlament. Ajo opozitë, nuk është më, janë aleatë. Nëse duan të bëjnë opozitë të vijnë në Parlament. Nëse nuk duan ndryshim sistemi çdo shqiptar e di se më kë janë ata”, deklaroi Gjoni.
Diskutime rreth kësaj post