Aleati i Partisë Demokratike, Dashamir Shehi ka deklaraur se opozita i qëndron kërkesës së saj largimin e qeverisë aktuale dhe zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme.
“Nuk është marrë ndonjë vendim për të rinisur protestat, është marrë një vendim që do t’i përdorim të gjitha mjetet demokratike për të mbrojtur interesat opozitare, që janë largimi i kësaj qeverie, zgjedhje të parakohshme sa më shpejt qoftë dhe nesër në mëngjes. Do të bëjmë të gjithë llojet e kompromiseve dhe çdo lloj mjeti, me qëllim largimin e kryeministrit Edi Rama pasi demokracia po shuhet fare. Mjeti më demokratik është protesta, nuk e kemi vendosur ende. Është në një afat të dytë”, thotë Shehi për Report Tv.
Ai ka treguar zgjidhjen që opozita ofron për zgjidhjen e krizës ndërsa qeveria thotë se zgjedhjet do të zhvillohen në vitin 2021.
“Ne zgjidhjen e mendojmë kështu, largimi i Ramës, të bëhet një qeveri e përbashkët, qeveri e mbështetjes, e rëndësishme që kjo qeveri të marrë parasysh 9 pikat e Bundestagut gjerman dhe rimëkëmbja e Shqipërisë, që të përgatisë zgjedhje të lira dhe të ndershme sa më shpejt të jetë e mundur. Ne do presim se si do të reflektojë pala tjetër dhe në funksion të saj do përdorim mjetet që kemi në dorë. Nëse këta zotërinj e quajnë qeverisje këtë lloj regjimi ne nuk jemi dakors. Zanati për atë që është në pushtet është se si ta sfidojë kundërshtarin. Kjo është në mendjen rurale të shqiptarit, koha do të tregojë. Asnjë nuk është larguar me vullnet në Shqipëri. Ne gjykojmë se ky njeri duhet të largohet”, u shpreh Dashamir Shehi.
Diskutime rreth kësaj post