Kreu i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi ka komentuar debatin rreth sistemit zgjedhor, ndërsa ka thumbuar në distancë edhe kryeministrin Edi Rama dhe kryedemokratin Lulzim Basha. Teksa ishte i ftuar në një studio televizive, dje kreu i BD zbuloi se sistemi aktual zgjedhor nuk po mbrohet vetëm nga Partia Socialiste, por edhe nga Partia Demokratike. Sipas Patozit, qëndrimi i tanishëm i PD-së dhe aleatëve të saj për të mos kërkuar ndryshim të sistemit zgjedhor është tendencioz.
“Sistemi ka dy mbrojtës kryesorë, dy avokatë të mëdhenj dhe këto janë Partia Socialiste dhe Partia Demokratike. Në këtë kolazh mund të fusim si një aktor të rëndësishëm edhe Lëvizjen Socialiste për Integrim, e cila në ndryshim nga viti 2008 që ishte në grevë urie, me sa duket është përshtatur me këtë lloj sistemi”, -deklaroi ai.
Më tej, Patozi theksoi se argumenti i opozitës se nuk ka kohë për ndryshimin e sistemit zgjedhor, sipas tij nuk qëndron, ndërsa shtoi se zgjedhje të parakohshme nuk do të ketë. “Është një gënjeshtër e pastër. Edhe kjo është një përrallë, e cila është shpikur për të fituar kohë. PD dhe aleatët e saj sot nuk i duan zgjedhjet e parakohshme, pra bëjnë sikur i kërkojnë. Zgjedhje të parakohshme nuk do të ketë”, – u shpreh ai.
Ndërkohë, po dje përmes një statusi në rrjetet sociale, zoti Patozi ironizoi kryedemokratin Lulzim Basha, teksa e quajti këtë të fundit se është gjigant i pakonkurrueshëm i mendimit politik. “Që të quhesh kundër Edi Ramës, duhet të jesh pro tij. Është, pa as më të voglin dyshim, një gjigant i pakonkurrueshëm i mendimit politik shqiptar për të gjitha kohërat. Sot paska thënë se “ata që janë kundër sistemit, po i shërbejnë propagandës së Edi Ramës”. Që do të thotë se duhet të biesh dakord me Edi Ramën për ruajtjen e statuskuosë, siç ka bërë ai vetë, që të quhet se je kundër tij. Dhe hajde pastaj bëj debat pas kësaj fraze legjendare! Ia vlen më mirë të dorëzohesh dhe të duartrokasësh, duke e konsideruar veten me shumë fat që ke jetuar në epokën e tij. Sepse duhet talent i rrallë që të shqiptosh fjali kaq hijerënda LIVE para kamerave dhe pa t’u dridhur qerpiku”, – nënvizoi Patozi.
Diskutime rreth kësaj post