Meghan Markle ishte aktorja amerikane, me një pasion për kauzat humanitare dhe feministe. Harry ishte princi rebel, i kthyer në ushtar, i konsideruar si beqari më i kërkuar në botë.
Në verën e vitit 2016, të dy u bashkuan nga një mik i përbashkët në Londër në një prej atyre që njihen si ‘takimet e verbër’.
Bukuroshja Meghan u pengua dhe ra në jetën time, do të thoshte më vonë Harry për mediat. Ai e kuptoi menjëherë se ajo ishte e duhura.
Pas dy takimeve, çifti i ri shkoi për pushime në Botsvana, ku bënë kamping nën yje.
Ata ranë në dashuri kaq shpejt, një dëshmi se yjet ishin rreshtuar për të dy, tha Harry.
Për shtypin britanik, romanca nuk ishte e fortë sa dukej. Ja ku ishte një çift i artë, në gjendje që të tërheqë turma të mëdha, të flasë gjuhën e brezave të rinj dhe të spërkasë me grimca të arta mbretërore çdo kauzë.
Për muaj të tërë, çifti shmangu kamerat deri në vitin 2017 në Toronto, kur u shfaqën për herë të parë në publik teksa mbanin duart e njëri-tjetrit, të qeshur dhe të gëzuar.
Por kishte pasur shenja më herët se përralla ishte ende shumë larg ‘fundit të lumtur’.
Kur Harry konfirmoi lidhjen e tyre në fund të vitit 2016, kjo erdhi me një sulm të ashpër ndaj mediave, të cilat i akuzonte se e kishin nënshtruar të dashurën e tij ndaj një vale abuzimesh dhe ngacmimesh.
Ai foli për beteja ligjore natën për të mbajtur larg gazetave histori me shpifje, por edhe për përpjekje të reporterëve dhe fotografëve për të hyrë në shtëpinë e Meghan dhe për ‘bombardim’ të thuajse çdo miku dhe njeriu të dashur në jetën e saj.
Ishte një problem që do bëhej më keq.
Pavarësisht kësaj- ose ndoshta prej kësaj- të dy u afruan gjithmonë e më shumë dhe në shtator të vitit 2017, Meghan deklaroi për revistën Vanity Fair: Personalisht, kam një histori të madhe dashurie.
Të dy duket se po shijonin kohën së bashku dhe ishin të lumtur dhe të dashuruar, tha ajo.
Media ishte në gatishmëri të lartë për një dasmë mbretërore dhe nuk u desh të prisnin shumë.
Në nëntor të vitit 2017, Harry u ul në gjunjë dhe i propozoi Meghan teksa po gatuanin së bashku rosto pule në shtëpinë e tyre në Pallatin Kensington.
Harry kishte projektuar vetë unazën, të bërë me dy diamante që i përkisnin nënës së ndjerë, Diana, Princesha e Uellsit. Në qendër ishte një diamant nga Botsvana.
Çifti e ndau historinë e tyre të sinqertë për BBC-në, duke u shfaqur me pozitivitet për të ardhmen.
Ata zbuluan se Meghan do hiqte dorë nga aktrimi për t’u përqendruar tek kauzat më pranë zemrës së saj, duke punuar së bashku me bashkëshortin e ardhshëm.
“E di se ajo do të jetë pabesueshmërisht e mirë në punën e saj,” tha Harry.
Gjërat filluan të zhvendoseshin, ndërsa nisën përgatitjet për dasmën e majit 2018 në Uindsor.
Shumë shpejt u bë e qartë se ky ishte një çift mbretëror që dëshironin t’i bënin gjërat ndryshe- me mënyrën e tyre.
Dasma, e cila u ndoq nga shumica e botës, i kishte të gjitha traditat- një fustan befasues, një nuse çapkëne dhe zotime të përzemërta.
Por siç e theksonte në atë kohë korrespondenti ynë mbretëror, Jonny Dymond, që nga shërbesa e deri te fjala e mbajtur nga Peshkopi Curry, të gjitha sugjeronin për një të ardhme të ndryshme për Familjen Mbretërore.
Martesa solli të tjerë tituj të rinj- Duka dhe Dukesha e Sussex- si dhe një shtëpi të re në Frogmore Cottage në Uindsor.
Në tetor të atij viti, çifti u nis për një turne mbretëror, duke vizituar Australinë, Zelandën e Re, Fixhin, Tongën. Prej andej njoftuan se prisnin fëmijën e parë.
Archie Harrison, i shtati në linjën për fronin dhe nipi i tetë i Mbretëreshës, lindi më 6 maj të vitit 2019.
Për Harry, që ishte në lindje pranë Meghan, Archie i vogël ishte ‘për të vdekur për të’.
Gjatë shtatzënisë, betejat e çiftit me median vazhdonin.
Kontrolli dhe presioni i lartë ishte një problem për Meghan edhe gjatë shtatzënisë, por edhe kur u bë nënë.
“Jo shumë njerëz më kanë pyetur nëse jam OK,” tha ajo e përhumbur gjatë një interviste. Ajo foli për ndjeshmëritë gjatë shtatzënisë dhe për sfidat e të porsalindurit.
E pyetur nëse do e përballonte, ajo tha se i kishte thënë Harry-t se nuk është e mjaftueshme vetëm të mbijetosh. “Ky nuk është qëllimi i jetës- duhet që të lulëzosh”.
Kishte edhe të tjera shenja se çifti nuk ishte i lumtur, kur princi u hap për shëndetin e tij mendor.
Ai tha se ishte nën menaxhim të vazhdueshëm dhe se jetonte me presionin e mospërsëritjes të së shkuarës që i mori jetën nënës e tij, Princeshës së Uellsit.
Ajo vdiq në një aksident rrugor në Paris kur Harry ishte vetëm 12 vjeç. Shoferi ishte i pirë dhe makina po ndiqej nga paparacët.
“Çdo gjë që kaloi ajo, dhe që i ndodhi asaj, është jashtëzakonisht e rëndësishme çdo ditë, dhe nuk po tregohem paranojak”, tha ai.
Po ashtu ka pasur zëra se ky shqyrtim i çdo detaji të Meghan ka qenë më i madh për shkak të trashëgimisë afro-amerikane.
Ish-kandidatja për presidente e SHBA, Hillary Clinton tha se donte ta përqafonte Meghan për trajtimin racist që i bënte media britanike.
Frustrimi i çiftit me një pjesë të medias kaloi nga një çështje mes Pallatit Mbretëror dhe medias në një përplasje të hapur publike.
Meghan ka vendosur të padisë Daily Mail me pretendimin se ka publikuar në mënyrë të paligjshme një prej letrave të saj private. Kurse Harry ka nisur një procedim ndaj The Sun me pretendimin se i kanë përgjuar telefonin.
Teksa viti dramatik po mbyllej, çifti mori një pushim të gjatë nga funksionet mbretërore për Krishtlindje dhe shkuan me djalin në provincën kanadeze të British Columbia.
Kjo u dha kohë atyre që të merren me njoftimin e radhës në dekadën e re, kur bënë lajmërimin bombastik.
As babai i Harry-t, princi Charles, as vëllai më i madh, princi William, me të cilin Harry thotë se ka pasur ditë të mira dhe ditë të keqija, nuk ishin këshilluar.
Harry dhe Meghan u thanë ndjekësve të tyre në Instagram se kanë në plan të lënë pas detyrat dhe portofolin e tyre mbretëror.
Ata shpresojnë se kapitullin e tyre të ardhshëm do e kalojnë në Amerikën e Veriut dhe në Mbretërinë e Bashkuar, duke krijuar së bashku me djalin Archie- rrugën e tyre drejt të ardhmes.
Diskutime rreth kësaj post