Vetingu ka sjellë furtunë në drejtësi. Këshilli i Lartë Gjyqësor do të zhvillojë mbledhjen e parë të këtij vit sot, ndërsa pjesë e rëndit të ditës është dhe projektvendimi “Për deklarimin e mbarimit të statusit të magjistratit, të gjyqtares Marina Rraboshta dhe Stavri Kallço për shkak të dorëheqjes nga detyra e gjyqtarit”. Dy gjyqtarët kanë dhënë dorëheqjen nga detyra pak kohë më parë dhe kanë kërkuar nga KLGJ që të heqë statusin e magjistratit. Nëse KLGJ e pranon, atëherë ata i shpëtojnë vetingut.
Kohët e fundit ka pasur valë dorëheqjesh në drejtësi, ku spikasin Jona Qeleshi e Durrësit dhe prokurori Njazi Seferi. Në vendimin e KPK për prokurorin Seferi thuhet se ai u dorëhoq pasi u njoh me aktet e verifikimit. “Pasi relatori i çështjes kreu një hetim të plotë dhe të gjithanshëm, paraqiti para trupit gjykues dhe vëzhguesit ndërkombëtar, z. Branko Hrvatin, rezultatet e hetimit dhe i rekomandoi trupit gjykues dhe vëzhguesit ndërkombëtar mbylljen e hetimit kryesisht për subjektin e rivlerësimit, z. Njazi Seferi.
Në mbledhjen e datës 27.9.2019, trupi gjykues, në prani edhe të vëzhguesit ndërkombëtar, pasi arriti në përfundimin se provat në lidhje me kriterin e pasurisë, kontrollin e figurës dhe me vlerësimin profesional kanë nivelin e provueshmërisë, vendosi të mbyllë hetimin kryesisht për subjektin e rivlerësimit, dhe ta njoftojë se ka barrën e provës për të provuar të kundërtën e rezultateve të hetimit”, shkruan KPK në vendimin e zbardhur. Pas kësaj, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkruan se subjekti i rivlerësimit, pasi mori njoftimin për barrën e provës, përmes postës elektronike, e konfirmoi marrjen e njoftimit për mbylljen e hetimit, duke deklaruar se është njohur me dokumentacionin. Nga ana tjetër, vetëm 2 ditë më pas, prokurori i Krimeve të Rënda, paraqiti pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë, duke kërkuar mbarimin e statusit të prokurorit për arsye shëndetësore.
Ndërkohë po sot në mbledhjen e KLGJ do të bëhet emërimi i disa magjistratëve të rinj. Sipas rendit të ditës mësohet se emrat kandidatë për t’u emëruar si gjyqtarë janë: Erlanda Agaj; Marko Boshku; Elisabeta Gjoni. Emrat e tjerë në listën e KLGJ janë edhe Klejda Çapja; Artur Prenga; Mirjan Mustafaj dhe Kostandina Kuro. Lista vijon më tej me Iva Zemani; Enisa Shahini, duke u pasuar nga Ema Shaholli; Shkëlzen Liçaj dhe Xhevdet Lika. Për emërimin gjyqtar janë Ligoraq Toshi; Hazbi Balliu; Florin Demollari. Po ashtu gjatë mbledhjes që do të zhvillohet ditën e sotme do të shqyrtohet projektvendimi lidhur me kërkesën e gjyqtarit Osman Aliu për pagimin e pagës si gjyqtar, gjatë periudhës së pezullimit dhe për deklarimin e mbarimit të statusit të magjistratit.
Diskutime rreth kësaj post