Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka reaguar dje ashpër ndaj presidentit Ilir Meta, pasi ky i fundit e ka përmendur dhe e ka sulmuar po ashtu në një dalje publike dy ditë më parë. Ditën e djeshme, me anë të një statusi në rrjetin social facebook, Manjani i është kundërpërgjigjur deklaratave të Metës, teksa ka deklaruar se Meta nuk e shmang dot faktin se Presidenca është në krizë, duke bërë diversione dhe duke u përpjekur të heqë vëmendjen me sulme ndaj tij apo ndaj ndokujt tjetër. Në reagimin e tij Manjani i është përgjigjur deklaratës së presidentit se ndokush e përdor atë për të sulmuar Metën, duke e mohuar si akuzë me një përgjigje ironike nga ana e tij.
“Po të përdoresha, ashtu siç thotë Presidenti, do kisha qenë pak më i efektshëm me karrierën time dhe shumë më rezultativ në “goditjen e figurës së Presidentit”. Se kush po më përdor mua për të sulmuar atë, një dreq e di! Do kisha patur dëshirë ta dija që t’i faturoj shërbimin të paktën. Nejse, fundja le të mendojë si të dojë, por për sa thashë tek ajo intervistë dhe kam thënë edhe më parë për rolin e Presidentit, i qëndroj me besnikëri dhe i argumentoj me fakte të njohura publikisht. Së dyti, për atë që “më bëri ministër”. Nuk e kam ndaluar për asnjë çast së shprehuri mirënjohjen për këtë gjë. Asnjëherë e në asnjë rrethanë”, – është shprehur Manjani.
Më tej ai i është përgjigjur edhe deklaratës tjetër që presidenti ka bërë, duke thënë se Manjani ka mbajtur një qëndrim kontradiktor sa i takon djegies së mandatave. Manjani ka theksuar se ashtu si presidenti edhe kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi mendojnë në të njëjtën linjë, duke deklaruar se qëndrimi i Manjanit për djegien e mandateve ka qenë kontradiktor. Në një përgjigje për të dy, ish-ministri ka deklaruar se sipas mendimit të tij djegia e mandateve nga ana e opozitës nuk është një veprim i gabuar.
“E përsëris, e keqja e këtij vendi është në qeveri dhe jo tek ambasadat. Këtë gjë e kam besuar dhe artikuluar edhe kur kam shërbyer si ministër në ato 15 muaj. Po nuk pranuam këtë, pra që e keqja është gjithnjë në qeveri, vetëm e mbrojmë qeverinë! Me në fund fare, është krejt normale që Presidenti të mos mendojë seç mendoj unë, por nuk është normale që për të shmangur vëmendjen nga thelbi i krizës së tij presidenciale të merret me mua”, – është shprehur Manjani në një kundërpërgjigje ndaj presidentit Meta.
Diskutime rreth kësaj post