Avokati Spartak Ngjela ka reaguar ditën e djeshme në lidhje me Strukturën e Posaçme Antikorrupsion, teksa është shprehur se SPAK ka ngritur një ndjenjë besimi tek qytetarët shqiptarë. Me anë të një postimi në Facebook, Ngjela është shprehur se shqiptarët presin që SPAK t’i shpëtojë ata nga varfëria, krimi i organizuar dhe korrupsioni që ka kapluar vendin.
“Shqiptarët, me SPAK-un që sapo filloi punën, po presin shpëtimin e tyre historik. Ata janë të varfër, të poshtëruar nga pushtetarët e korruptuar, pa të drejtë vote, të rrezikuar dhe nën presionin permanent për të lënë atdheun e tyre”, ka deklaruar Ngjela.
Avokati është shprehur se SPAK do pritet që të t’i japë një goditje të fortë politikës, teksa përmend emra si Basha, Meta, Berisha e Rama. Në reagimin e tij Ngjela ka theksuar se amerikanët, të cilët janë në mbështetje dhe në vijë të parë të SPAK, janë zotuar që t’i japin fund korrupsionit.
“I gjithë opinioni publik progresiv në Shqipëri po pret nga SPAK-u goditjen frontale kundër qendrës së korrupsionit shqiptar: Berisha, Meta, Rama, Basha, dhe taborët e tyre. Në fakt, kjo është “kështjella” e korrupsionit shqiptar. Politika amerikane është zotuar botërisht për këtë purgo që i duhet bërë korrupsionit shqiptar. Por, kjo mbrojtje amerikane erdhi në pikën më kritike, atëherë kur Shqipëria po hynte në segmentin e saj fatal: në shpërbërjen e saj që po i vinte nga korrupsioni. Duhet të kujtohemi për historinë: korrupsioni shtetëror ka shkatërruar edhe perandoritë e mëdha”, ka deklaruar ai.
Më tej avokati Spartak Ngjela ka nënvizuar se integrimi i Shqipërisë në BE dhe zhvillimi i saj i mëtejshëm do të vijë vetëm duke luftuar korrupsionin në drejtësi. Zhvillimi ekonomik, ka theksuar Ngjela, si edhe bashkimi etnik nuk mund të vijë nëse në Shqipëri nuk vendoset drejtësia dhe nuk luftohet krimi dhe siç lë të kuptohet avokati, kjo do të vijë nëpërmjet SPAK.
“Tani kuptohet, sidomos pas pavarësisë së Kosovës, se shqiptarët po shkojnë drejt bashkimit të tyre në territorin e vet etnik. Brenda këtij procesi për bashkim, hyn edhe purgoja që do të eliminojë korrupsionin e lartë shtetëror në Shqipëri, në të dy krahët e politikës. Pikërisht kjo purgo ligjore, është vendosja e drejtësisë në Shqipëri. Nëse nuk do të bëhej ky pastrim i pushtetarëve të korruptuar, bashkimi kombëtar dhe zhvillimi ekonomik i Shqipërisë, do të mbetej ende si një pamundësi dhe drejtësia nuk do të vendosej në këtë kohë historike”, tha ai.
Diskutime rreth kësaj post