Politikanët me pasuri të lartë duket se janë preja më e lehtë e SPAK. Gjatë muajit janar do të mbyllet transferimi i dosjeve të SPAK dhe pastaj do të krijohet mundësia për nisur hetime të reja. SPAK një vëmendje të veçantë do të ketë për pasuritë e pushtetarëve dhe njerëzve të botës së krimit. Por për shumë emra të njohur, të dhënat duket se janë bërë gati nga ILDKP. Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive ka një bilanc të qartë të atyre që kanë fshehur pasuri ndër vite dhe vlerat reale të pronave. Sipas raporteve vjetore të ILDKP, nga viti 2003 deri në 2017, pushtetarët kanë fshehur plot 80 milionë euro prona.
Sipas ILDKP, bëhet fjalë për pasuri që nuk rrjedh nga burime të ligjshme dhe është e pambuluar me dokumente justifikuese ligjore. ILDKP ka njoftuar se për ta janë informuar dhe autoritet e tjera përkatëse, ku ka pasur kallëzime në Prokurori dhe janë dorëzuar të dhëna pranë Drejtorisë së Pastrimit të Parave.
“Kallëzimet penale të zyrtarëve të nivelit të lartë për periudhën 2003-2014 përkojnë me një shumë prej rreth 1.2 milion euro pasuri, e cila nuk rrjedh nga burime të ligjshme dhe është e pambuluar me dokumente justifikuese ligjore, ndërsa për periudhën deri 31.12.2017 kjo shumë ka arritur në vlerën prej rreth 80 milion euro pasuri të dyshuar të krijuar nga burime jo të ligjshme dhe e pambuluar me dokumente justifikuese ligjore. Kjo tregon, për rritjen e goditjes dhe fuqisë vepruese të institucionit të ILDKPKI ndaj veprave penale të fshehjes së pasurisë, korrupsionit dhe krimit ekonomik”, thuhet në raport.
Por burime jo zyrtare i thanë gazetës se nëse shtojmë dhe fshehjet e pasurive për vitet 2018 dhe 2019, bëhet fjalë për rreth 100 milionë euro pasuri të pajustifikuar. Sipas legjislacionit, çdo hetim për deputetë, ish-deputetë, ministra, ish-ministra, kryetarë bashkish dhe funksionarë të tjerë janë kompetencë e SPAK. Kjo do të thotë se sapo të nisë mirë puna, mjafton të shihen kallëzimet e ILDKP dhe të gjithë fundosen, kjo pasi në shumë raste prokuroria ka pushur hetimet dhe është lehtësisht e mundur të rihapen dosjet.
Të dhënat për vitin 2019
Gazeta ka siguruar të dhënat e ILDKP për verifikimet gjatë vitit 2019. Për periudhën janar-tetor 2019, janë paraqitur rreth 101 raste referimesh, ndërsa deri në dhjetor 2019 janë 12 raste të tjera, pra në total, janar-dhjetor 2019 janë 113 raste referimesh në polici, prokurori apo Drejtorinë e Pastrimit të Parave. Pra vetëm vitin që lamë pas ka pasur bum fshehjesh pasurie dhe kjo nuk është çudi, pasi 2019 ishte viti i themelimit të SPAK dhe të gjithë janë trembur.
Masat administrative
Përveç kallëzimeve penale të dorëzuara në prokurori dhe referimeve në polici apo te Drejtoria e Pastrimit të Parave, ILDKP ka vendosur dhe gjoba për ata që kanë refuzuar të deklarojnë pasuritë.
“Në total për periudhën 2014-2018 rezulton të jenë aplikuar 1.812 masa administrative “gjobë”. Për periudhën janar-dhjetor 2019, janë aplikuar 52 masa administrative “gjobë”. Për t’u theksuar është fakti, se të gjitha masat administrative të vendosura nga Inspektorati i Lartë janë lënë në fuqi nga gjykatat administrative, me përjashtim të një numri të pakonsiderueshëm, për të cilat gjykata ka vendosur shfuqizimin ose ndryshimin e tyre”, thuhet në përgjigjen e ILDKP.
Më tej bëhet e ditur se ILDKPKI për periudhën 2014 – 2018 ka sanksionuar me masë administrative “gjobë” në total rreth 1.672 zyrtarë si dhe ka aplikuar 140 masa administrative me “gjobë” në kuadër të ligjit nr. 60/2016 “Për Sinjalizimin dhe Mbrojtjen e Sinjalizuesve”./Kliti Topalli
Diskutime rreth kësaj post