Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Shqiptare, Anastas Janullatos, është shprehur se në Shqipëri është ndjerë i pasigurt, madje sipas tij, shoferin ia kanë paguar që ta linte atë në një vend të shkretë.
Në një intervistë për agjencinë ndërkombëtare të lajmeve kishtare, Janullatos ka treguar se shoferin e tij me emrin Taqo e kanë paguar me qëllim që të linte kreun e Kishës Ortodokse në një vend të shkretë.
“Po, shenjat i kemi akoma të dukshme. Më kujtohet shoferi im, Taqua i cili më thoshte se i kishin ofruar para që të më linte në një vend të shkretë. Pa ndihmën dhe forcën e Zotit, askush nuk mund të bëjë asnjë hap këtu”, deklaron kreu i kishës Ortodokse në Shqipëri.
Gjithashtu, ai është shprehur se në Shqipëri është ndjerë i pasigurtë, duke sjellë në kujtesë vonesën në dhënien e nënshtetësisë shqiptare.
“Unë arrita të marr nënshtetësinë shqiptare vetëm para dy vitesh. Kjo nuk është e rastësishme. Kishte një shqetësim dhe një fobi të çuditshme përkundrejt meje. Pra këtu ndeshemi edhe me pranimin edhe me frikën, dyshimet dhe pasigurinë. Prandaj them që ajo çka kemi bërë këtu është dhjetëfish më e madhe, pasi nuk u bë në kushtet e një qetësie dhe lirshmërie, por u bë në një periudhë me stuhi, dëborë”, ka thënë kryepeshkopi Anastas Janullatos.
Sipas të parit të Kishës Ortodokse, përplasjet mes dy vendeve kanë rënduar mbi Kishën Ortodokse.
“Sa herë ka tensione mes dy vendeve, viktimat jemi ne. Në kuptimin që qarqet nacionaliste si nga njëra palë, ashtu dhe nga pala tjetër, godisnin në mënyrën e tyre me komentet dhe nënkuptimet e të tjera. Ndonjëherë mendoja se ndodheshim në një grykë, ku nga njëra anë ishin kallashnikovët dhe nga ana tjetër artileria e rëndë. Pa ndihmën e Zotit këtu nuk mund të bëhej asgjë”, deklaroi ai.
Diskutime rreth kësaj post