Kroacia nga sot do të kryesojë presidencën e BE-së duke pasuar Finlandën. Vendi më i ri anëtar që nga viti 2013, do të kryesojë presidencën e Këshillit të BE-së për herë të parë.
Shumë qytetarë të BE-së edhe në Bruksel njohin prej Kroacisë vetëm bregdetin si një destinacion për pushime. Tani qeveria kroate ka rastin të tregojë edhe anë të tjera të vendit.
Gjashtë muaj kryesim i presidencës së BE-së për secilin vend anëtar që ofron shansin të prezantohet si organizator i mirë dhe të prezantojë apo të japë drejtimin për temat e ndërlikuara të BE-së.
Disa ndër shtetet themeluese të unionit si Luksemburgu e kanë pasur 12 herë në rotacion presidencën e BE-së, gjë që u është kthyer atyre tashmë në rutinë dhe nuk u duhen bashkëpunëtorë shtesë, për organizimin e konferencave.
Shtete të tjera të mëdha kanë një imazh më të keq në kryeqytetin e BE-së në Bruksel. P.sh. Britania e Madhe, që në janar do të dalë prej BE-së konsiderohej si kaotike, e paorganizuar mirë dhe me pak frymë krijuese. Gjermania, që është vendi më i madh anëtar i BE-së dhe që e ka radhën në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm të drejtojë presidencën, konsiderohet si e aftë për të realizuar objektivat, por edhe mjaft burokratike dhe pedante.
Gjermanët angazhojnë qindra diplomatë shtesë në përfaqësinë e Brukselit, për të menaxhuar me sukses presidencën gjashtë mujore.
Ministri i Jashtëm kroat, Gordan Grliæ Radman ka marrë përsipër të angazhohet për afrimin e Ballkanit Perëndimor në BE. Ai do ta verë në lëvizje Francën, që të heqë dorë nga vetoja, me të cilën ka bllokuar zgjerimin e BE-së me hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Kjo veto e papritur e Parisit në vjeshtë ishte një shok diplomatik për Gjermaninë, BE-në dhe për Kroacinë.
“Por edhe një shok i tillë mund të jetë i dobishëm”, tha ministri i Jashtëm Radman në portalin e internetit Euractiv.
“Kjo ndoshta ndihmon paksa, që ne të fokusohemi dhe të procedojmë me seriozitet, kur është fjala për vendime konkrete. Ne përpiqemi të forcojmë vetëdijen se sa i rëndësishëm është zgjerimi edhe për BE-në e jo vetëm për vendet fqinjë. Kroacia do të angazhohet si ndërmjetësuese e ndershme”, tha ministri i Jashtëm.
Pika kulmore e presidencës kroate do të jetë samiti i zgjerimit më 6 dhe 7 maj në Zagreb, në të cilin duhet të skicohet rruga për daljen nga qorrsokaku./dw
Diskutime rreth kësaj post