Ish kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, në një intervistë ekskluzive për gazetën kombëtare “Bota sot”, ka thënë se, Minishengeni Ballkanik, i cili po mbahet aktiv nga treshja Vuçiq-Zaev-Rama, nuk është asgjë tjetër përveçse një projekt i Jugosllavisë së re apo siç e quan ndryshe Berisha, Serbomadhia.
Duke folur për këtë projekt, Berisha thotë se Vuçiq me qëllim nuk e ftoi herën e parë Kosovën në Novisad, për ta paraqitur atë si pjesë e Serbisë, teksa hedh kritika për kryeministrin e Shqipërisë Edi Ramën, për të cilin thotë se aprovoi idetë e ministritë të Millosheviqit.
Vizitën e Vuçiqit në Shqipëri, Berisha e quan poshtërim të kombit shqiptarë, duke thënë se ai de fakto erdhi në Tiranë si në një vend vasal.
Sali Berisha: Ajo që me emër maskë po thirret Minishengeni Ballkanik, nuk është gjë tjetër vetëm Jugosllavia e Re apo Serbomadhia, d.m.th Serbia me dy vasalet e saj; Shqipërinë, Maqedoninë të cilës mund ose jo t’i shtohet në të ardhmen edhe Mali i Zi. Projekti i Serbomadhisë i sanksionuar me ligj në Traktatin famëzi prej 718 nenesh të Novisadit, u përgatit, siç deklaron vet presidenti i Serbisë Vuçiq për muaj të tërë në Beograd. Ky projekt, i sanksionuar tashmë në Traktat të firmosur nga Vuçiq dhe veglat e tij Edvin Kristaq Zografi dhe Zaev, bazohet në idenë e vjetër te hegjemonisë serbe në Ballkan, ide mbi të cilën u themelua dhe mori jetë dekadat e para të shekullit të kaluar Mbretëria Serbo – Kroato – Sllovene dhe më pas Federata më artificiale e planetit, e themeluar nga Tito në Jajcë me 6 republika dhe dy krahina autonome, njëra prej tyre Kosova, te përfshira ne Republikën e Serbisë. Në fakt pas përfundimit të luftës, Enver Hoxha përgatiti së bashku me Titon të gjithë kuadrin ligjor për të përfshirë edhe Shqipërinë si republikë të 7 të Federatës të Jugosllavisë . Sigurisht kontekste historike të këtyre zhvillimeve janë të pakrahasueshme, por disa gjëra mbeten në të gjitha variantet të pandryshuara. Së pari të gjitha këto entitete politike gjeografike, pavarësisht se është quajtur mbretëri, federatë apo së fundi Jugosllavi e Re, me emër maske Shengeni Balkanik kanë pasur si qëllim më madhor vendosjen e hegjemonisë të Serbisë në Ballkan.
Historia nuk duhet injoruar. Se dyti, këto entitete dhe ideja e stabilizimit të Ballkanit duke vendosur hegjemoninë e Serbisë në rajon, në mënyrë të përsëritur janë dëshmuar konflikt ndjellëse, të paqëndrueshme dhe me pasoja katastrofale. Ballkani mund të stabilizohet vetëm si rajon i shteteve të lira të barabarta e sovrane! Së treti, e vërteta është se Vuçiq sot, nuk e ftoj Kosovën në Novisad, pra veproj njëlloj si Tito Rankoviç që në Jajce, nuk ftuan Kosovën por e përjashtuan atë si njësi përbërëse të projektit të Federatës Jugosllave dhe e lanë atë si territor të Serbisë. Po kështu, sikundër Enver Hoxha miratoi qëndrimin e padronit te tij Tito ndaj Kosovës në Jajce edhe Zografi Bis ra plotësisht dakord me padronin e tij Vuçiq për qëndrimin e tij në Novisad por tashmë ndaj shtetit të pavarur të Kosovës. Nga Novisadi, siç dihet, doli dhe harta në të cilën Kosova paraqitej pjesë e Serbisë. Këtë hartë me urdhër të padronit të tij argati i Beogradit në Tirane e vendosi si “rastësisht” dhe e shpërndau me rrjetet e tij televizive sociale gjer dhe tek tekstet shkollore. Pas firmosjes te Traktatit të Novisad, Vuçiq, padroni i nismës së krijimit të Seromadhisë, urdhëroi vasalet e tij në Tirane dhe Shkup dhe në një rast të pashembullt në historinë e rajonit dhe më gjerë, rrufeshëm ja doli të organizoje në më pak se tre muaj tre samite, përveç atij të Novisad edhe dy të tjera në Ohër dhe Tiranë. Në këtë kuadër, ishte fat i mirë që për shkak të ndryshimeve politike në Kosove argati i Prishtinës, Miladini shqipfolës, pa mëdyshje njohur me çdo detaj të traktatit të kapitullimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, duket dhe me miratim të padronit të tij Vuçiq, nuk guxoi të ndjeke haptas vallen e seromadhisë në Shkup dhe Tiranë. Por në qoftë se shqiptarët në tërësi dhe Kosova në veçanti ishin parashikuar si kurbani kryesor i Traktatit antishqiptar të Novisadit, përsëri Kosova dhe kombi kanë shansin historik të jenë varrmihësit e fantazmës të Serbisë së Madhe dhe t’i bëjnë asaj atë që i kanë bërë më parë si dhe tani së fundi dhe në Samitin e Berlinit.
Diskutime rreth kësaj post