Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku ka dhënë dje një njoftim të rëndësishëm për naftëtarët nga Fieri. Si shpërblim për fundvitin, të gjithë naftëtarët e Albpetrol do të përfitojnë një rritje page që nga 1 janari me 18%.
Balluku e bëri këtë deklaratë gjatë festës të Vitit të Ri të organizuar për fëmijët e naftëtarëve nga Fieri, Patosi, Mallakastra, Roskoveci, Kuçova, Selenica etj. Ministrja vlerësoi gjithashtu sakrificën e naftëtarëve, duke sjellë në vëmendje faktin se punojnë në një sektor me mjaft vështirësi.
“Festat e fund vitit janë momente festive për të gjithë dhe ata që gëzojnë më shumë janë fëmijët. Për këtë arsye, duhet treguar vëmendje që gjithkush të ketë mundësi të gëzojë në këtë fund vit. Unë jam shumë e lumtur sot që takoj fëmijët e naftëtarëve, të cilët janë nga punëtorët më të dalluar dhe kanë qenë në të gjitha kohërat. Janë njerëz që impenjohen shumë, puna është e vështirë, besoj që mami dhe babi ju kanë treguar gjithmonë sesa e vështirë është të punosh në fushën e naftës, por ata ja dalin gjithmonë me sukses. Kemi dhe një lajm të mirë për ta, që të gjithë naftëtarëve ne kemi vendosur t’ju rrisim edhe pagën, por më pas këto do t’i bisedojë Erjola me prindërit tuaj”, u shpreh ministrja Balluku.
Albpetrol ndodhet në procesin e një reformimi të thellë. Strategjia e re për këtë reformimin bazohet në disiplinimin e kësaj ndërmarrje me synim rritjen e efikasitetit. Sipas ministrisë, i gjithë personeli prej 1800 punonjësish po kalon në një sitë për të vlerësuar dobinë dhe përgjegjësinë që secili ka dhe sjell në ndërmarrje, duke larguar nga organika e fryrë personat të cilët nuk kontribuojnë në rritjen e kapaciteteve prodhuese të kompanisë.
Edhe prodhimi është nën fokus të plotë të këtij procesi reformues dhe vetëm në tre muajt e fundit tetor, dhjetor ka një rikuperim prej 1500-1600 ton gjithsej, me një bazë ditore shtesë 21 ton/ditë. Sipas ministrisë, kjo ka sjell mundësinë për të vlerësuar naftëtarët, të cilët kryejnë detyrën dhe janë në konformitet me kontratën e punës. Kjo rritje e konsiderueshme page, synon nxitjen e mëtejshme të kësaj ndërmarrje për të arritur sa më parë objektivat e vendosura nga MIE në sektorin e hidrokarbureve për vitin e ri 2020.
Diskutime rreth kësaj post