Ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati shprehet se në Mal të Zi është miratuar ligji, me anë të së cilit iu njihet shqiptarëve që jetojnë atje të kenë të drejtë të përdorin simbolet kombëtare publikisht.
Ditmir Bushati shkruan:
Mali i Zi miratoi ligjin për zgjedhjen, përdorimin dhe shfaqjen publike të simboleve kombëtare, përmes të cilit i garantohet pakicave kombëtare e drejta dhe liria e zgjedhjes, përdorimit dhe vendosjes publike të simboleve kombëtare, si dhe shënimi i festave kombëtare.
Miratimi i këtij ligji i jep fund praktikës së kushtëzuar të shfaqjes dhe përdorimit të flamurit dhe simboleve kombëtare. Ligji garanton gjithashtu shënimin e festës kombëtare në ato komuna ku shqiptarët përbëjnë 5% te popullsisë.
Përgëzime partive politike shqiptare në Malin e Zi, të cilët për një kohë të gjatë kanë insistuar në miratimin e këtij ligji. Një sukses i përbashkët që vjen nga qartësia në avancimin e kërkesave të drejta dhe ndërtimi i koalicioneve largpamëse në Malin e Zi. Uroj që ky shembull të shërbejë si precedent për t’i mundësuar shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanovc përdorimin e simboleve kombëtare dhe arsimimin në gjuhën amtare!
Diskutime rreth kësaj post