“Njëri vë shenjë kryq të kuq. Njëri vë shenjë blu, që nuk e kam mësuar as çfarë do të thotë. Kurse kjo… Ja çfarë janë shqiptarët kur i lë pa sistem. Kjo fletë, e vendosur për të siguruar hyrjen e banorëve, e dini çfarë prodhon truri në panik? Ju shkon në mendje ju që shkojnë natën e shkulin dhe ia ngulin pallatit të vet? Ju shkon në mendje ju? Ngjyrë e kuqe është kjo, ngjyrë e kuqe ka këtu, në këtë format, në konkluzionin ku thotë e kuqe e pabanuar. Këtu, mund të jetë e kuqe kjo, po u shoqërua me ngjyrë, që nuk duhet banuar, ose duhet banuar, se ka idenë ky. Ka lloje-lloje të kuqesh…”
Vetëm pak ditë pas këtyre deklaratave të pedagogut dhe konstruktorit Agim Seranaj në emisionin “Opinion”, një letër që mban firmën e dekanit Neritan Shkodrani, e shkarkon atë nga detyra si zv/dekan i Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit.
Në një intervistë për “Opinion”, Seranaj thotë se nuk ka një arsye për këtë vendim.
“Jo nuk kam arsye, sepse arsyen që do të kisha do ta lexoja tek vendimi. Dhe tek vendimi nuk ka ndonjë arsye, kështu që unë nuk e di akoma kush do të ketë qenë arsyeja dhe pres ta mësoj edhe unë. Në vendim është një nen atje i ligjit të Arsimit të Lartë, i cili thotë që dekani emëron dhe shkarkon zëvendësdekanin. Sipas procedurave që i përcakton statuti i Universitetit. Pastaj kur i kthehesh statutit të Universitetit, atë nenin e statutit, ajo në fakt nuk detajon asgjë. Dhe ajo thotë të njëjtën gjë, që dekani emëron dhe shkarkon zv/dekanin“.
Pra nuk ka një motivacion të specifikuar?
“Jo nuk ka, nuk ka akoma. Unë shpresoj dhe uroj që kjo të ketë qenë një lapsus, ose një nxitim, nuk e gjej dot se ç’mund të ketë qenë. Sepse të drejtën në fakt për të gjetur bashkëpunëtorin edhe për emëruar apo dhe shkarkuar le ta ketë, por ka procedura të akteve administrative. Do të thotë minimalisht duhet ta kishte bërë një bisedë, duhet të ishte shprehur përse arriti deri tek kjo, sepse ndoshta ndonjë keqkuptim mund të ketë patur dhe nëse do të kishim bashkëbiseduar mjafton edhe 55 minuta kohë, me siguri nuk do ta kishte bërë. Unë shpresoj do ta anulojë ai atë. Mbase vetë jo në fakt, sepse nuk e ka të lehtë. Po nuk është vendim final. Vendimi final për këtë punë e merr institucioni i Drejtorit nga Rektori dhe kjo punë tani me siguri po trajtohet edhe nga Rektori, sepse në takimet që kemi bërë, edhe Rektori është ndjerë i habitur, i çuditur dhe nuk e ka mirëpritur në fakt këtë vendim kaq të shpejtë dhe të prerë dhe të paparashikuar, pa asnjë lloj sinjali. Kështu që unë kam depozituar atje një kërkesë tani, që pres ta trajtojë Rektori, edhe do marrim përgjigje dhe do shohim a ka arsye dhe a qëndrojnë? A janë zbatuar procedurat? A është i drejtë vendimi i dekanit? Do ta zbardhë me siguri institucioni“.
Me një përvojë më shumë se 20-vjeçare në mësimdhënie dhe në projektimin e më shumë se 1 mijë konstruktioneve, inxhinier Seranaj bashkë me kolegët e tij qenë ndër të parët specialistë që u përfshinë në procesin e inspektimeve të dëmeve, në zonat e prekura nga tërmeti i 26 Nëntorit.
“Na qëlloi që ne duhet të bëheshim, nga profesionet tona, më të prekurit prej kësaj gjëje dhe më aktivët për t’u përballur me këto fatkeqësi. Kështu që, që ditën e parë ne jemi organizuar në grupe pune profesionale për të bërë vlerësimet e dëmeve dhe për të orientuar njerëzit se ç’duhet të bëjnë”.
Por ndërsa pret që Rektori të mos pranojë shkarkimin e tij nga ana e dekanit të Fakultetit të Inxhinierisë, Agim Seranaj vijon të jetë aktiv. Së bashku me specialistë të tjerë, ata synojnë të ndihmojë në tejkalimin sa më shpejt të situatës së krijuar për tërmetin e 26 Nëntorit përmes një platforme konkrete për menaxhimin e situatës./ Opinion
Diskutime rreth kësaj post