Kreu i qeverisë Edi Rama ka folur për gazetarët pas mbledhjes së Kryesisë, ku u fol për zgjedhjet e kryetarëve të partisë, dhe që do të finalizohet me mbajtjen e Kongresit në muajin Shkurt.
“Pasi kemi zgjedhur kryetarët e organizatave, pasi kemi përfshirë edhe gratë, duke vendosur një normë të re të organizimit, ku drejtimi është 50 me 50, kemi bërë dhe zgjedhjen një anëtar një votë të anëtarëve të Kongresit, duhet të përmbyllim procesin me zgjedhjet e kryetarëve të partisë në 61 Bashkitë e vendit.
Kudo procesi ecën sipas normave të paracaktuara, diku mirë, diku shumë mirë, unë besoj se ky process na ka dhënë atë që kemi pritur, një energji të re, edhe pse zgjedhjet duken larg, ato janë shumë afër, Qershori 2021 është shumë afër”, u shpreh Rama.
Ndërkohë që kreu i qeverisë u pyet dhe për zgjedhjet lokale në Shkodër dhe në Vlorë, ku pohoi se nuk ka pasur asnjë komunikim me presidentin Meta për këtë fakt.
“Jo nuk kemi komunikim me presidentin,është një histori që lidhet me dekretet dhe me çdrekretet, sa i përket Shkodrës nuk ka ende një vendim, dhe është në situatën më jo normale nga kjo pikëpamje, është një çështje që nuk është në dorën tonë, ka një kryetare që nuk është kryetare”, u shpreh Rama, i cili foli dhe për krizën politike në vend.
Kreu i qeverisë tha se qeveria e tij është e votuar dhe e dënuar për ta çuar deri në fund mandatin që i kanë dhënë qytetarët, pavarësisht se shprehu gadishmërinë për tu ulur në tryezën e diskutimit me opozitën.
“Tani unë mendoj që vendi nuk ka vakum, për arsyen se Kuvendi funksionon, Reformat po i çojmë përpara, me prioritetet që kemi vendosur do i japim një shtysë të fortë përpara mandatit që kemi marrë.
Do ishte mirë që PD të ishte në parlament, ka marrë vendimin e vetë, tregon se ka dëmtuar rëndë vetë Partinë Demokratike, padyshim që nuk e ka bërë më të mirë jetën politike të vendit, por gjërat funksionojnë.
Ne jemi të gatshëm që të ulemi në tryezë, të dëgjojmë, ne jemi të dënuar dhe të votuar për të udhëhequr. Nuk mund të presim sat ë tjerët të ngrihen nga gjumi, apo të shtriqen përpara se të vijnë në punë”, tha Rama.
Diskutime rreth kësaj post