Ndoshta s’janë të parët, por pritet që 20 pakistanezë të vijnë në Shqipëri dhe të jenë ndër të parët që do të punojnë në industrinë vendase të fasonit. Florian Zekja nga Unioni i Fasonistëve i konfirmoi gazetës “Si” se marrëveshja, nuk është arritur ende, por po bisedohet përmes konsullatës në Romë, sepse konsullata e Pakistanit në Shqipëri nuk përgjigjet.
Ai thotë se punonjësve të huaj do t’u sigurohet si ushqimi, ashtu edhe fjetja dhe kjo nuk do të jetë kosto shtesë, sepse “emigrantët prioritet kanë punën dhe janë punonjës të sigurt, që nuk mungojnë dhe të përgjigjen edhe të shtunë e të diel, plus që ata do të paguhen disa-fish më shumë se ç’marrin në vendin e tyre (160 dollarë)”.
Përmes një ligji të miratuar pak ditë më parë në parlament , Shqipëria ka vendosur t’jua bëjë më të lehtë emigrantëve të huaj që të punojnë.
“Industria jonë e fasonit ka nevojë për 10-12 mijë punëtorë. Boshatisja e vendit po na përball me mungesë burimesh njerëzore. Por ky është një cikël normal në vendet që janë drejt zhvillimit. Unë kam shkuar në Bullgari e Rumani. Mosha mesatare e punonjësve atje është 50 vjeç sepse 40 % e tyre janë larguar për një të ardhme më të mirë drejt vendeve të zhvilluara. Siç ne jemi në kërkim të punonjësve të botës së tretë, të cilët do të zgjedhin të vijnë në Shqipëri për një pagë më të lartë” – shprehet Zekja për gazetën “Si”.
Zekja thotë se ligjet për “Shtetësinë” dhe “Për të huajt” të miratuara në parlament që lehtësojnë marrjen e fuqisë punëtore nga vendet e botës së tretë, janë lehtësi për ndërmarrjet shqiptare që vuajnë për burime njerëzore.
Për Zekjan kjo është pjesë e një cikli që po kalojnë të gjitha vendet e lindjes që po vuajnë aktualisht për fuqi punëtore.
Por, ai vëren se vende të fuqishme ekonomikisht si Gjermania, po luajnë një lojë të pandershme duke hapur dyert për punonjësit nga vendet e vogla si Shqipëria, Kosova, etj dhe po boshatisin këto vende.
Projektligjet e miratuara më 19 dhjetor përshpejtojnë dhënien e shtetësisë të huajve dhe shkurtojnë kohën për dhënien së lejeve të punës për shtetasit e huaj./GazetaSi
Diskutime rreth kësaj post