Nisin problemet e para për reformën zgjedhore. Dje pritej që të mblidhej komisioni për të diskutuar mbi draftin e tretë, por u anulua se nuk kishte kuorumin e nevojshëm për ta zhvilluar. Damian Gjiknuri, i cili drejton këtë komision, tha se shkak është bërë edhe mungesa e bashkëkryetares, Rudina Hajdari e cila nuk ishte në gjendje të mirë shëndetësore, duke shtuar se opozita parlamentare ende nuk ka paraqitur një propozim.
“Sot nuk u bë kuorumi i mbledhjes sepse disa nga anëtarët nuk erdhën. Ndërkohë që bashkëkryetarja e komisionit nuk ishte në gjendje të mirë shëndetësore. Kjo ishte e vetmja arsye. Sot do të diskutonim një paketë tjetër që kishte të bënte me çështjet e ankimit, procedurat e votimit, ku reflektoheshin një pjesë e rekomandimeve të ODIHR. Puna vazhdon dhe shumë shpejt do të kemi njoftim për mbledhjen e radhës. Ne duam që këtë mbledhje ta zhvillojmë përpara se të mbyllet sesioni i këtij Kuvendi”, tha Gjiknuri.
Duke iu përgjigjur interesimit të medias, bashkëkryetari shtoi më tej se të gjitha partitë politike janë të angazhuara për miratimin e reformës zgjedhore, duke shpresuar që anulimi i kësaj mbledhje të mos jetë një ngërç për vijimin e mëtejshëm të punës dhe diskutimeve.
“Shpresoj mos jetë ngërç apo bojkot sepse të gjitha partitë janë angazhuar për reformën zgjedhore, aq më tepër që janë ata që kanë kërkuar edhe që në një nga pikat që duhet të trajtohet është çështja e sistemit zgjedhor. Ne mirëpresim partitë e opozitës parlamentare të vijnë me një propozim për sistemin zgjedhor gjë që tani kjo nuk ka ndodhur. Ne jemi të hapur për të vazhduar komunikimin njëkohësisht komisioni ka një mandat, ka një afat dhe duhet të vazhdojë punën. Shumë shpejt do të kemi njoftimin për mbledhjen e radhës. Ndjesë, por nganjëherë më mirë për ju se nuk pritet gjatë”, tha Gjiknuri.
Por sipas burimeve të gazetës, sytë e mazhorancës janë nga Partia Demokratike, për tu ulur bashkë në një tryezë dhe për të miratuar këtë reformë. Po ashtu, edhe ndërkombëtarët janë duke lobuar fort në prapaskenë që mazhoranca dhe opozita jashtëparlamentare të bëhen bashkë për t’i dhënë fund ngërçit politik. Tashmë miratimi i reformës zgjedhore pritet që të bëhet në muajt e parë të 2020, ku do të diskutohen të gjitha propozimet e ardhura nga partitë politike.
Diskutime rreth kësaj post