Përkundër kundërshtive të grupeve të interesit dhe kritikave të organizatave ndërkombëtare, mazhoranca është e vendosur për ta çuar për votim në Kuvend në seancën e kësaj javë paketën “Anti-shpifje”. Por kjo vendosmëri e mazhorancës ka ngjallur edhe debate politike.
Kështu, avokat Spartak Ngjela iu është bashkuar dje reagimeve, pasi Komisioni i Ligjeve dhe i medias miratoi dje në tërësi projektligjin për mediat online, të ashtuquajturën paketa “Anti-shpifje”. Përmes një statusi në rrjetet sociale, avokat Ngjela akuzoi kryeministrin Edi Rama se është një “dashnor” i vrasjes së fjalës së lirë, ndërsa theksoi se përmes paketës “Anti-shpifje” kërkon që të destabilizojë Shqipërinë.
Sipas tij, Rama kërkon që të heqë vëmendjen nga korrupsionin shtetëror andaj dhe i ka hapur “luftë” medias.
“Pse është kaq i padituri ky kryeministër? Sepse nuk ka qenë i aftë për të qenë i tillë. Media e një vendi, po nuk është armike me qeverinë e këtij vendi, nuk është media e lirë. Panagjeriku i gazetarisë për qeverinë e vendit të saj, është gazetari e një shteti totalitar. As kaq nuk kupton dot ky kapso kryeministër?! Apo e kupton dhe kështu e dëshiron? Po të jetë kjo, atëherë është i çmendur. Ose pastaj, kërkon destabilizimin e Shqipërisë. Atë që ka një vit që po e kërkon, njëlloj si edhe Saliu. Kot e ke Rama! Ngjarjet do të shkojnë deri në fund: as ligjin antishpifje nuk e miraton dot dhe, as goditjen penale antikorrupsion që po vjen, nuk e ndalon dot. Kush prek sot lirinë e shtypit, ka prekur Shqipërinë”, deklaroi. Duke hequr një paralele mes qeverisë aktuale dhe sistemit komunist që kaloi Shqipëria, avokat Ngjela shprehu bindjen se përmes paketës “Anti-shpifje” kërkon të arrestojë qytetarët, duke i trembur që të mos flasin, sikundër bëri për 40 vjet diktatori Enver Hoxha. “Enver Hoxha të vërtetat kundër tij i quante “shpifje të armikut” dhe arrestonte “armikun”, kurse gënjeshtrat e tij fëminore me të cilat mbante pushtetin e dhunshëm personal, i quante të vërteta universale që mund të drejtonin botën. Të njëjtën gjë po bën edhe Edi Rama, por meqë ky nuk ka forcë individuale shtypëse si Hoxha, i drejtohet ligjit për asgjësimin e medias që ka dalë kundër arbitraritetit të tij, ligj të cilin duhet ta votojnë kukullat që ka në Parlament”, nënvizoi Ngjela.
Diskutime rreth kësaj post