Edhe këtë të premte kreu i opozitës ka akuzuar qeverinë se po lë qytetarët e prekur nga tërmeti në mëshirën e fatit, ndërsa sipas tij paratë e taksave të tyre shkojnë në xhepat e 10 oligarkëve dhe qeveritarëve të lidhur me ta.
Lulzim Basha, pas një takimi me banorët në fshatrat e Durrësit tha se qeveria merret me propagandë, për të mbuluar dështimin, neglizhencën kriminale që mori 51 jetë njerëzish.
“Situata është e rrezikshme për shumë familje të cilat, në pamundësi të një strehe, po rikthehen në shtëpitë e tyre që nga verifikimet e para janë konsideruar të pabanueshme, duke rrezikuar jetën e këtyre familjeve. Nga shteti nuk është kujtuar askush tu çojë një çadër, apo ushqimet më minimale, duke i detyruar të flenë jashtë apo ne rastin më të mirë te miq a të afërm. Ky dështim po na shtyn drejt një krize humanitare”, tha Basha.
“Thirrja ime për qytetarët është të mos rrezikojnë jetën e tyre dhe të fëmijëve të tyre duke u kthyer në shtëpitë e dëmtuara. Kjo duhet të bëhet vetëm dhe vetëm pasi me përgjegjësi të plotë ligjore dhe penale, ekspertët e autorizuar zyrtarisht nga qeveria, certifikojnë me shkrim dhe zyrtarisht se banesa është e sigurt. Në vend të vërtitjes si korbi nëpër gërmadha, duhet urgjent te alokohen fonde për strehimin dhe ushqimin e çdo fëmije, çdo prindi, çdo nëne dhe babai, çdo pensionisti në nevojë”, theksoi më tej Basha. /OpinioN
Diskutime rreth kësaj post