Kryeministri Edi Rama inspektoi ditën e djeshme punimet në Spitalin Universitar “Nënë Tereza” për rikonstruksionin pas tërmetit të 26 nëntorit. I shoqëruar nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, Rama shprehu interes edhe për përfundimin e rrugës, duke shtuar që situata jashtë ambienteve të spitalit nuk duhet të jetë më si nëpër stacione treni.
“Do bëhet ajo rrugë që të mbyllet kjo situatë. Nuk ka si stacion treni këtu, apo stacion vaporash që rrinë njerëzit. Duhet mbyllur përfundimisht. Disiplinimi brenda ka qenë pozitiv, që nuk hyjnë brenda siç hynin më parë. Tani nuk duhet të hyjnë dhe të rrinë nëpër oborr të spitalit. Kjo nuk ndodh në asnjë vend të botës. Kjo është katastrofë”, u shpreh kryeministri Edi Rama.
Më tej, shefi i qeverisë deklaroi se qeveria është në negociata me një kompani të madhe turke e certifikuar ndërkombëtarisht, për të ndërtuar edhe qendra shëndetësore dhe shkolla.
“Ne po bëjmë një negocim, besoj se do t’ia dalim me një kompani të madhe turke qe është e certifikuar ndërkombëtarisht dhe që punon për tregun në Amerikë. Besoj do bëjmë super marrëveshje me shtëpitë. Shtëpi me standarde fantastike, antisizmike, ekologjike, antizjarr dhe i thashë që të na japin edhe disa oferta për qendra shëndetësore sepse janë me kosto shumë më të ulët dhe janë super. Ne mund të bëjmë më shumë me ta. Ata bëjnë edhe shkolla. Po bëjmë një punë me ta që do na japi shumë sukses”, u shpreh kryeministri Edi Rama.
Shefi i qeverisë gjithashtu vizitoi edhe disa nga familjet e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit, që kanë përfituar bonos qeraje, ku i dorëzoi çelësat një tjetër familjeje. Nga aty Rama u shpreh se sikurse kjo banesë, e cila është bërë shumë herë më e mirë se ajo që ishte para se të dëmtohej nga tërmeti edhe shtëpitë e tjera do të jenë model.
“Keni kaluar pa dëmtime në shëndet. Kjo është kryesorja. Të tjerat pastaj, më mirë bëhet. Shtëpia është më e mirë se ajo që ishte. Të gjithë ata që kanë pasur dëme do t’ua bëjmë shtëpinë më të mirë”, tha Rama.
Diskutime rreth kësaj post