Selia blu njofton se ka anuluar aktivitetet e planifikuara për 11 dhjetorin, ditën e themelimit të partisë. Njoftohet se të gjitha fondet e përcaktuara për këto aktivitete se bashku me kontribute të anëtarëve dhe simpatizantëve të saj do të shkojnë në ndihmë të personave të goditur nga tërmeti i 26 Nëntorit.
PD-ja thotë se solidariteti me të dëmtuarit nga tërmeti dhe mbështetja maksimale për ta është mënyra më e mirë për të përkujtuar data të rëndësishme që shënojnë ngjarjet e Dhjetorit 1990, nga Lëvizja Studentore tek shpallja e pluralizmit dhe lindja e Partisë Demokratike.
Që prej tërmetit të 26 nëntorit Partia Demokratike, thotë më tej se ka anuluar disa aktivitete kombëtare për t’ju përkushtuar me të gjitha mundësitë dhe burimet e saj njerëzore situatës pas tërmetit në terren pranë njerëzve në emergjencë.
“Më herët Partia Demokratike anuloi aktivitetet për 28 nëntorin, kreu i demokratëve anuloi vizita te parashikuara jashtë vendit ndërsa në Ditën e Rinisë me 8 dhjetor, të rinjtë e Forumit Rinor e kthyen në ditë solidariteti duke mbledhur dhe shpërndarë ndihma për familjet e goditura nga tërmeti” mbyllet njoftimi i zyrës së shtypit të PD-së.
Diskutime rreth kësaj post