Ditën e sotme është zhvilluar mbledhja e dytë e Komitetit Kombëtar të Rindërtimit, në të cilën është diskutuar në lidhje me situatën e krijuar nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit. Gjatë fjalës së tij, kryeministri Edi Rama është shprehur se qeveria ka përllogaritur një shumë prej 20 miliardë lekësh për dëmet nga tërmeti.
“Ne kemi konsideruar 20 miliardë, me të ardhura buxhetore dhe donacionet. Por pritshmëritë për donacione janë të konsiderushme dhe mendoj se do të shtohen pasi kanë nisur diskutimet në nivel bilateral dhe me vende të tjera. Fondi do të jetë dinamik dhe do të shtohet edhe me alokime nga buxheti në vijim. Do të ketë një program te veçantë buxhetor”, tha kryeministri.
Ndërkohë, Rama ka deklaruar se më 16 dhjetor do të dalë një raport paraprak për dëmet, ndërsa shtoi se po përgatitet një ligj i posaçëm për rindërtimin, i cili ka si qëllim të krijojë një kuadër ekskluziv për të gjitha aspektet që kanë të bëjnë me rindërtimin.
“Raporti i parë paraprak synohet të paraqitet më 16 dhjetor. Do të ketë një raport të dytë dhe më pas një raport final në fund të muajit janar.Një draft të parë e kemi gati dhe tani po bashkëpunojmë edhe me komisioni ne Ligjeve për ta çuar drejt miratimit”, tha Rama./ Opinion
Diskutime rreth kësaj post