Më 8 dhjetor 1990, një grup studentësh e pedagogësh të Universiteteve të Tiranës, banorë të qytetit “Studenti”, u bënë iniciatorë e protagonistë të kthesës së madhe historike, protestave që sollën rënien e komunizmit dhe lindjen e demokracisë.
Deputetja Rudina Hajdari shprehet se ndihet krenare që studenti që ishte në krye të kësaj lëvizjeje ishte Azem Hajdari, babai i saj.
Ajo gjithashtu heq edhe një paralele me situatën që ndodhet Shqipëria sot. Sipas saj ka ardhur koha që shqiptarët të ndihen të përfaqësuar.
Hajdari shkruan:
“8 Dhjetori i 29 viteve më parë u shënua nga rinia shqiptare, si dita e rrëzimit të diktaturës më të egër në histori.
Të rinjtë e asaj kohe patën në zemër idealet dhe ëndrrën për një të ardhme demokratike dhe europiane dhe pikërisht kjo gjë u dha guximin për të përballuar presionin, kërcënimet dhe rrezikun që vinte nga regjimi diktatorial, që edhe pse në grahmat e fundit, ishte prapë i rrezikshëm.
Ndihem krenare që studenti që ishte në krye të asaj lëvizje historike ishte im atë. Çdo ditë të jetës time do të luftoj që idealet e tij për një Shqipëri të denjë për të qenë pjesë e demokracisë dhe e familjes europiane të bëhen realitet.
Edhe pse pas 29 vitesh në demokraci, shqiptarët vuajnë pasojat e mungesës së theksuar të proceseve demokratike në vend.
Ka ardhur koha që qytetarët shqiptarë të ndihen të përfaqësuar, dhe kjo gjë vjen vetëm nga ndryshimi i sistemit.
Si para 29 vitesh, ashtu edhe sot, Shqipëria ka vetëm një rrugë, atë drejt familjes së madhe europiane!”
Diskutime rreth kësaj post