Të shumta janë rastet e vjedhjes së celularëve apo sendeve të tjera me vlerë nëpër lokale. Një rast i tillë ka ndodhur në një lokal në zonën e Pazarit të Ri në Tiranë.
Një grua, e cila është me djalin e saj të mitur, po e instrukton të birin se si të vjedhë. Kamerat e sigurisë së lokalit kanë filmuar episodin e “leksionit” të së ëmës për djalin e saj, të cilit mesa duket po i mëson “artin e vjedhjes”. Prapa tavolinës ku nënë e bir janë ulur, një qytetar kishte harruar celularin mbi tavolinë dhe ishte larguar. Kur vënë re telefonin e braktisur aty sipër, fillon edhe thurja e planit.
Pasi merr instruksionet nga e ëma, djali ngrihet dhe i afrohet tavolinës që ndodhet prapa krahëve të tyre, zgjat dorë për të marrë celularin e lënë mbi tavolinë dhe e fut në xhepin e xhupit. Ndërkohë që e ëma e tij qëndron pa lëvizur në karrigen e saj. Më pas largohen njëri pas tjetrit nga lokali. E gjithë kjo skenë zgjat 1 minutë e 36 sekonda.
Qytetari që kishte harruar celularin, u rikthye në lokal për ta marrë, por nuk e gjeti aty. Pasi pa kamerat e sigurisë, kuptoi çfarë kishte ndodhur. Ai ka bërë denoncim në Komisariatin Nr.1 të Policisë së Tiranës për gruan që duket qartësisht në video. Pas kallëzimit të bërë dhe pas publikimit të videos në media, mësohet se gruaja është paraqitur vetë në Komisariatin Nr.1 për të dorëzuar celularin./Tvklan.
VIDEO:
Diskutime rreth kësaj post