Sot, në “Ditën e Rinisë”, presidenti Meta nuk do mundet të jetë te Qyteti Studenti për tubimin e tij sfidues me thirrje referendare dhe kushtetutëmbrojtëse, ashtu siç paralajmëroi afro dy javë më parë, në kulmin e një protagonizmi politik deri me nuanca skizofrenike, kundër ndërkombëtarëve dhe mazhorancës.
Tërmeti ia prishi planin e tij për ringjalljen e Dhjetorit ’90 me të si figurë kryesore, duke ja marrë PD-së këtë ditë të kalendarit të saj politik.
Ndaj, kreu i shtetit ka përcjellë një urim për rininë, por me në fokus tërmetin.
“Me mijëra të reja e të rinj shqiptarë, të organizuar vullnetarisht brenda e jashtë vendit që në momentet e para të tërmetit tragjik të 26 nëntorit, po udhëheqin kauzën e solidaritetit për banorët e prekur rëndë nga kjo fatkeqësi natyrore e pabesë që goditi vendin.
Përpjekjet e tyre të palodhura për mbledhjen e ndihmave materiale, fondeve dhe shërbimeve që po i ofrojnë komunitetit ditë-natë, janë sa emocionuese, po aq frymëzuese, dhe shembulli më konkret i Shqipërisë njerëzore për të cilën kemi nevojë më shumë se kurrë.
Ndaj sot me rastin e 8 Dhjetorit, Ditës së Rinisë, dua të falënderoj me mirënjohje të thellë, emër për emër, çdo vajzë e djalë, që shërben si vullnetar në shërbim të komunitetit.
Jeni të mrekullueshëm dhe të jashtëzakonshëm!
Ju inkurajoj dhe ju mbështes, që në shembullin e të rinjve dhe të rejave, të cilët 29 vite më parë vërshuan në rrugët e sheshet e Tiranës për ta ndarë Shqipërinë nga errësira dhe izolimi, të merrni në dorë, falë shpirtit të lirë, energjisë, guximit, kurajos dhe idealeve të pastra, fatet e atdheut tonë, duke udhëhequr proceset demokratike për ndërtimin e një të ardhmeje të sigurtë dhe europianizmit të plotë të Shqipërisë”, shkruan Meta.
Më tej, ai uron festën, duke përmendur gjithashtu Azem Hajdarin, e përfunduar mesazhin me thirrjen e njohur dhjetoriste, pasuar nga një kredo e tija e kohëve të fundit.
“Nderim përjetë veprës së liderit të Lëvizjes Studentore, Azem Hajdarit dhe të gjithë studentëve të Dhjetorit ’90!
“E duam Shqipërinë si gjithë Europa!”
Demokracia nuk negociohet, por vetëm mbrohet dhe me çdo çmim!”, përfundon Meta.
Kujtojmë se “Dita e Rinisë”, është një festë e sajuar për nder të 8 Dhjetorit, ditës së nisjes së protestave studentore, në mandatin e dytë të Berishës, në kulmin e një përplasjeje mes tij dhe opozitës socialiste të asaj kohe. /tesheshi
Diskutime rreth kësaj post