Janë mbi 30 shkolla, të cilat nuk do të hapen ditën e hënë për shkak të dëmeve të krijuara nga tërmeti i 26 nëntorit. Zv.ministrja e Arsimit Lorena Haxhiu, e ftuar në studion e lajmeve në RTV Ora tha se janë marrë të gjitha masat që nxënësit të transportohen në shkolla të tjera, duke filluar nga pikat e grumbullimit deri tek shpenzimet, të cilat do të mbulohen nga buxheti i ministrisë.
“Janë mbi 30 shkolla që nuk do të hapen ditën e hënë, por për secilën prej tyre është marrë masa e nevojshme për zhvendosjen në shkollat pritëse, ku do të priten si turni i pasdites në rastet kur është e nevojshme dhe shkollat kanë kapacitet të plotë të nxënësve të tyre dhe në turnin e parë atëherë kur shkolla i ofron kapacitet e mjaftueshme. Plani i zhvendosjes është më se i plotë. Ne kemi marrë masat përmes drejtuesve të shkollave dhe mësuesve që kanë qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me prindërit që secili nga prindërit të jetë i informuar se ku do të jetë pika që është caktuar për transportin. Transporti më së tepërmi është parë i nevojshëm në zonat rurale. Me nisjen e procesit mësimor edhe në zonat e prekura nga data 5 dhjetor e kemi parë që ky plan zhvendosje përmes transportit të ofruar nga zyra arsimore dhe të buxhetuar në buxhetin e ministrisë së Arsimit ka funksionuar më së miri.” – tha ajo.
Haxhiu tha se plani i zhvendosjes do të prekë 15 mijë nxënës, ndërsa buxhetit të ministrisë do ti kushtojë 15-17 milionë lekë.
Zv.ministrja garantoi se të gjitha shkollat që do të hapen të hënën janë 100% të sigurta.
Diskutime rreth kësaj post