Biznesmeni i njohur Artan Dulaku, gjithashtu kryetar i Shoqatës së Ndërtuesëve, ka bërë një propozim racional në tryezën e sotme të organizuar nga kryeministri. Dulaku ka thënë se në Tiranë dhe Durrës ka 2500 banesa bosh, të cilat mund të përdoren dhe kjo do të ishte një zgjidhje e shpejtë e problemit të rëndë të strehimit që ka lënë pas tërmeti. Dulaku tha se problemi nuk zgjidhjet me fondacionet edhe pse ato janë të mirëpritura, por fatura do të jetë shumë e rëndë dhe kërkon gadishmëri të lartë nga qeveria.
“Në Durrës, por edhe në Tiranë, kemi një fond gjigand banesash të pashfrytëzuara. Janë aty, mbi 2500 banesa dhe mendoj se thelbi i mbledhjes së sotme, duhet të jetë, jo të merremi me fondacionet, ato mirë se të vinë, do vazhdojnë edhe dy javë, por kam një lajm të keq për zotin kryeministër, ngarkesën do ta mbajë si gjithmonë i zoti i shtëpisë, që është qeveria.
Fondacionet bëjnë punën e tyre dhe janë të mirëpritur, por fatura 100, 200, 300 milionë euro, do të bjerë mbi shpatullat e zotit Ahmetaj, zotit kryeministër, që duhet ta shpërndajnë në shpatullat e atyre që do merren me këtë punë.
Unë propozoj që të shihet mundësia, që të bëhet një tavolinë tre palëshe, midis qeverisë, sistemit bankar dhe atyre që posedojnë këto apartamente, dhe të gjendet një zgjidhje e shpejtë, që do ketë edhe komponentin human. Mund të jepet zgjidhje për një periudhë të shkurtër.
Nuk ndodh në vende të tjera të ketë super-prodhim, ne i kemi dhe duhet të vëmë në efiçencë. Do ketë nevojë për ndërtesa të reja patjetër, por ky kontigjent është atje dhe fle“, u shpreh Dulaku.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i Elvis Naçit, i cili dukej mjaft i fyer, që biznesmeni tha se fatura është shumë e kripur dhe nuk përballohet me ato që do të japin fondacionet. Naçi u shpreh se ndërtuesit duhet t’i shesin apartamentet me çmimin e kostos.
“Ata që i kanë të hynë në pjesën e bamirësisë dhe duhet t’i japin në kosto, ndryshe i shërbejmë atyre. Zoti Rama po të themi diçka, o të bëhet një gjë siç duhet, ose unë me Marinin nuk do të jemi më këtu” u shpreh Naçi. /TPZ
VIDEO:
Diskutime rreth kësaj post