Politika ka zbritur dje në terren duke iu qëndruar krah banorëve të zonave të prekura nga tërmeti i mëngjesit të djeshëm, që përfshiu Shqipërinë. Presidenti Ilir Meta, kryeministri Edi Rama, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ministra të kabinetit qeveritar, kryebashkiakë, deputetët, si dhe ish-deputete kanë mësyrë dje me urgjencë në këto zona, duke iu dhënë mbështetje morale dhe iu premtuar mbështetje logjistike banorëve të prekur nga kjo tragjedi.
I pari që shkoi në zonat e prekura ishte shefi i qeverisë, i cili thuajse gjithë ditën e djeshme u pa mes Durrësit dhe Thumanës të Fushë Krujës, një nga zonat më të prekura nga tërmeti 6.4 ballë i djeshëm, duke ndjekur nga afër operacionin e kërkim-shpëtimit, i cili vijon për të mundësuar shpëtimin e personave që gjenden ende nën rrënoja.
Rama: Duhet kurajo dhe solidaritet
Zoti Rama reagoi dje disa herë në media dhe rrjetet sociale, duke iu treguar qytetarëve se shteti është në këmbë dhe në mbështetje të qytetarëve të zonave të prekura. Rama iu kërkoi dje qytetarëve të përballojnë situatën me kurajo dhe solidaritet, pasi me ta është edhe vetë shteti dhe kancelaritë botërore, të cilat kanë ofruar mbështetje për zonat e prekura nga tërmeti.
“Goditja e fuqishme e tërmetit ka krijuar pasoja të rënda dhe fatkeqësisht kemi jetë të humbura. Të gjitha strukturat e shtetit janë në këmbë qysh në momentet e para pas goditjes. Punohet intensivisht për të shpëtuar çdo jetë të mundshme në disa pika fatale në Durrës e Thumanë. Është një moment dramatik ku sidoqoftë duhet të ruajmë me çdo kusht qetësinë, të qëndrojmë pranë njëri-tjetrit e ta përballojmë këtë goditje, sëbashku ne do të bëjmë gjithçka kemi në dorë dhe me miqtë e mëdhenj në krah do ta kalojmë edhe këtë situatë. Kurajo, durim, solidaritet” , deklaroi ai.
Sot ditë zie kombëtare
Po ashtu, Rama theksoi se të gjithë të prekurit nga tërmeti do të strehohen në hotele deri në ndërtimin e shtëpive. “Dimri nuk kalohet dot as nën qiell të hapur e as në tenda, prandaj qeveria do të nënshkruajë një marrëveshje me struktura hoteliere të Durrësit, Kavajës edhe Vlorës po të jetë nevoja, që të gjitha familjet e mbetura pa çati, të strehohen në kushte optimale, të shërbehen në kushte optimale, t’i kalojnë edhe festat e fundvitit në kushte optimale bashkë me fëmijët e tyre, ndërsa këta të fundit jo vetëm të mos jenë të detyruar të braktisin shkollën asnjë ditë, po edhe të mësojnë në kushte optimale”, nënvizoi Rama. Ndërkohë, qeveria ka vendosur të shpallë ditën e sotme ditë zie kombëtare.
Meta zbret në terren
Por përveç shefit të qeverisë, në zonat e prekura na tërmeti dje ishte edhe presidenti Ilir Meta, i cili u solidarizua dje me banorët, ndërsa ndoqi nga afër operacionin e kërkim-shpëtimit, i cili po vijon edhe sot. Në një prononcim për mediat nga Thumana, Meta ka deklaruar se situata është mjaft dramatike.
“Po bëhet çdo përpjekje për të nxjerrë banorët nga rrënojat”, deklaroi ai. Ndërkohë më herët nga Spitali i Traumës, presidenti Meta falënderoi personelin e spitalit që iu janë gjendur pranë banorëve të lënduar nga tërmeti. “Dua të falënderoj personelin mjekësor që është në gatishmëri të plotë. Sot është e rëndësishme të jemi pranë njerëzve në nevojë”, nënvizoi Meta.
Edhe Basha zbret në zonat e prekura nga tërmeti
Ndërkohë, në Thumanë dhe në Durrës dje ka zbritur edhe kryedemokrati Lulzim Basha, sëbashku me ish-deputetë të Partisë Demokratike. Nga Thumana duke folur për mediat, Basha iu ofroi mbështetje dhe solidaritet banorëve, ndërsa theksoi se nuk është dita për t’u ndarë në parti.
“Sapo kemi ardhur nga skenat e tmerrshme të tërmetit. Në familjen Thaçi e Lala me 3 viktima deri tani, ndërsa 1 po punohet për t’u nxjerrë. Njerëzit tanë janë në këmbë me çdo mjet rrethanor që mund të ndihmojë. Sot nuk është dita për t’u ndarë me parti, por për të qenë të gjithë bashkë. Lutja ime është që ata që janë në gërmadha të jenë gjallë”, deklaroi Basha.
Diskutime rreth kësaj post